PD: Balla t’u shpjegojë shqiptarëve kush i ka financuar udhëtimet me charter

schedule14:23 - 14 Tetor, 2018

schedule 14:23 - 14 Tetor, 2018

Partia Demokratike nga foltorja e selisë ka akuzuar numrin dy të socialistëve Taulant Balla se ka udhëtuar 25 herë jashtë vendit me ish të dënuarin për narkotrafik Edmond Bego. Duke përdorur makinën e tij por edhe avion charter sipas Luçiano Boçit, Balla ka detyrimin t’i shpjegojë shqiptarëve arsyet e këtyre udhëtimeve.

Deklaratë e Deputetit, Luciano Boçi:

Dje Partia Demokratike paraqiti fakte të reja që tregojnë lidhjen e fortë të numrit dy të Partisë Socialiste dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste me trafikantin e rrezikshëm të drogës Edmond Bego, të dënuar në Itali me 21 vite burg.

Taulant Balla rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit mbi 25 herë me trafikantin e drogës Edmond Bego, shpeshherë me të njëjtën makinë, kryesisht me automjetin e Taulant Ballës me targa AA900IN.

Taulanti nga Librazhdi, gjatë historikut të udhëtimeve, gjatë periudhës që qeverisë Edi Rama, ka përdorur dhjetra herë charter-in për udhëtime jashtë Shqipërisë, ku nuk mungojnë edhe udhëtime me charter nën shoqërinë e trafikantit të drogës Edmond Bego.

Taulanti u fsheh si gjithmonë ku kapet në flagrancë si bashkëpunëtor i eksponentëve të krimit të organizuar.

Taulanti nga Librazhdi nuk ka dhënë ende asnjë sqarime:

  • Çfarë e lidhë numrin dy të Partisë Socialiste me trafikantin e drogës Edmond Bego?
  • Pse ka udhëtuar 25 herë jashtë vendit me trafikantin e dënuar të drogës Edmond Bego?
  • Pse ka përdorur makinën e tij personale për të udhëtuar me trafikantin ndërkombëtar të drogës Edmond Begon?

Dje Taulanti konfirmoi se një nga dhjetra udhëtimet e tij me charter ia kishte financuar Edi Rama, i cili si asnjë Kryeministër tjetër më parë, përdor charter për udhëtime jashtë vendit.

Edhe pse shqiptarët nuk kanë para për të ushqyer fëmijët e tyre dhe Shqipëria është një nga vendet më të varfra në botë, sot kemi një Kryeministër të dhënë pas luksit dhe që udhëton me charter, siç ka denoncuar më parë Partia Demokratike.

Partia Demokratike ripyet sot Taulant Ballën:

  • Po udhëtimet e tjera me charter kush ia ka paguar dhe a janë financuar udhëtimet e tij nga burime të paligjshme?
  • Kush i ka paguar udhëtimet me charter gjatë udhëtimit të tij me Edmond Begon?

Këtyre pyetjeve Edi Rama dhe Taulant Balla nuk iu shpëtojnë dot.

Taulanti nga Librazhdi mund të bëhet edhe sot qesharak dhe mund të thotë që edhe Edmond Bego ishte i ftuar në një vizitë në Parlamentin Europian. Ai është faktuar si një mashtrues që nuk heziton të përdor fotomontazhin dhe kallamin e peshkut për të mbuluar lidhjet e tij me krimin e organizuar.

Ata sot mund të bërtasin “shpifje” sepse nuk ka kush i heton dhe dënon. Ata mund të ndjehen sot të sigurtë përkohësisht sepse kontrollojnë gjykatat e prokurorinë.

Qeveria në pakt me krimin, parlamenti i varur nga krimi, policia e drejtuar nga krimi dhe prokuroria nën urdhrat e krimit është realiteti që sheh sot çdo shqiptar.

Të vërtetën nuk e fshehin dot më. Lidhja e tyre me krimin e organizuar është e dokumentuar dhe fundi i tyre është i afërt. /abcnews.al