“PD, as moral dhe as ideal politik”/ Gjyqi për vulën, Daci: Duhet të ishte zgjidhur në mënyrë demokratike, jo juridike

schedule17:43 - 19 Mars, 2024

schedule 17:43 - 19 Mars, 2024

Politologu Alban Daci thotë se në Partinë Demokratike, nuk ka as moral dhe as ideal politik.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Daci u shpreh se çështja e vulës së kësaj force politike duhet të ishte zgjidhur në mënyrë demokratike dhe jo juridike.

“Në tërësi, kriza e Partisë Demokratike është “sui generis” dhe e paparecedentë në të gjithë sistemet politike, përfshi edhe ato autoritare. Unë mendoj që duke qenë një precedent “sui generis”, është mundësia që rezultati final i kësaj mos marrëveshjeje, do të krijonte një precedent të mirë nëse do të kishte një vendim të drejtë që partitë politike funksionojnë sipas një statuti dhe forcat politike nuk mund të mbahen qoftë me versionin e dhunës së 6 janarit, siç e kemi parë.

Gjithashtu, do të kishte precedent negativ nëse një vendim i tillë, nuk do të ishte në linjat e mënyrës sesi funksionojnë partitë politike. Mënyra sesi ka rrjedhur historia në Partinë Demokratike, do të ishte precedent i rrezikshëm për parti të ngjashme. Mendoj që ka shumë domethënie dhe do të ketë një mesazh shumë të rëndësishëm sesi do të jetë rezultati i kësaj gjëje. E gjithë historia 2-vjeçare brenda Partisë Demokratike, nuk ka moral, as ideal politik, nuk ka interesin e demokratëve. Një krizë e tillë nuk e ka forcuar Partinë Demokratike, demokratët. Sot e djathta, për shkak të kësaj krize, është shumë më e dobët për të mundur Ramën. Sot mund të kemi dy ose tre Parti Demokratike, asnjëri në vetvete nuk është alternativë për të mundur Ramën”, theksoi ai./abcnews.al