PD akuzon Veliajn për plan mafioz në Parkun e Liqenit

schedule15:05 - 21 Tetor, 2018

schedule 15:05 - 21 Tetor, 2018

Partia Demokratike akuzon Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj se po mban të fshehtë planin që parashikon të betonizojë hyrjen e tij. Kryebashkiaku Veliaj i është kundërpërgjigjur duke deklaruar se Parkut i shtohet 2.5 ha hapësirë e gjelbër që deri më sot ka shërbyer si Garda e Republikës.

Plani i ri i Tiranës parashikon kafshim të Parkut të Liqenit Artificial sipas Partisë Demokratike.

“Plani mafioz Rama-Veliaj  ndryshoi Planin e vitit 2013, i cili ndalonte ndërtimet në çdo park apo lulishte të qytetit. Në kapitullin 7.4 të Planit 2013 duken qartë kufizimet dhe ndalimet e ndërtimeve në parqet dhe lulishtet e Tiranës.

Në planin e ndryshuar kundër interesit të qytetarëve të Tiranës, hyrja e Parkut të Liqenit shënohet me fjalët “Sherbime + BANIM + Institucione”. Me pak fjalë kjo do të thotë beton masiv për Parkun e Liqenit”.

Sipas kreut të departamentit të mjedisit në Partinë Demokratike Plani Rregullues i Tiranës mbahet i fshehtë pasi sipas tij asnjë ëebsite zyrtar i Bashkisë apo qeverisë që e ka miratuar atë, nuk e ka të publikuar planin, në bazë të të cilit hyrja e Parkut të Liqenit betonizohet dhe mbushet me qiellgërvishtës.

“Plani i Edi Ramës dhe Erion Veliajt është që ta mbajnë në heshtje deri në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe qytetarët të mos keni informacion për këtë aferë të rëndë korruptive, për këtë krim mjedisor që shkatërron hyrjen e Parkut të Liqenit dhe shëndetin e qytetit.  Erion Veliaj është i sfiduar publikisht për ballafaqim me fakte për këtë plan betonizimi brenda parkut!”

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i përgjigjet nga zona e Parkut të Liqenit ku deklaron se po i shtohet 2.5 ha hapësirë e gjelbër që deri më sot ka shërbyer si Garda e Republikës.

“Unë e kuptoj shqetësimin e Partisë Demokratike! Të gjitha këto kanë qenë llokma të prenotuara për kunetër, për vjehërr. E kuptoj shqetësimin e tyre, duhet të jenë realisht të tronditur që kjo hapësirë i shkon qytetit dhe jo kunetërve. Fakti që dalin përditë, përditë për këtë hapësirë, do të thotë se u ka dhembur shumë fakti që këtë hapësirë do e gëzojnë qytetarët e Tiranës dhe jo ata që, në fakt, duhet të kalojnë në vetting”.

Buzagaz thotë se është kryebashkuiaku i Tiranës Erion Veliaj kur dëgjon vettingun e propozuar nga kryetari i Partisë Demokratike.

 “Sepse ne presim vettingun e SPAK dhe BKH, që i shkon edhe vjehrrit, edhe kunatit, gjithë fisit e farës ku parkohen asetet e vjedhura nga ky vend. Ndërkohë, marrim sot një version komplet të holluar, ku vettingun e bëjnë vetë politikanët, ku nuk preken vjehërrit e kunetërit, dhe ku sigurisht, nuk japin llogari për gjithë dëmet që i kanë bërë këtij vendi. Por, ne kemi nevojë për një vetting të vërtetë, kemi nevojë për agjenci të vërteta që i menaxhojnë këto asete, dhe jo për vjehërrit e kunetërit”.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se transformimi që ka pësuar Parku i Madh i Liqenit në këto tre vite është shembulli më i mirë se edhe kjo zonë, që deri më tani ishte e ndaluar për qytetarët, të shndërrohet në një hapësirë plotësisht e aksesueshme dhe e shfrytëzueshme për ta. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!