PD: Afera korruptive e check-up, KLSH kërkon rishikim kontrate

schedule13:13 - 15 Gusht, 2018

schedule 13:13 - 15 Gusht, 2018

Nga foltorja e selisë blu, Partia Demokratike ka deklaruar se është Kontrolli i Lartë i Shtetit ai që ka konfirmuar denoncimin e demokratëve se koncesioni i chek-up-it është simbol i korrupsionit të koncesioneve të qeverisë Rama. Rishikim kontrate është rekomandimi i KLSH i injoruar nga qeveria “Rama”, sipas selisë blu.

2.1 milionë euro çdo vit nga buxheti i shtetit për analiza të pakryera i ka kushtuar koncesioni i check-up-it shqiptarëve. Denoncimi, i ardhur nga Partia Demokratike përmes deputetit Bardh Spahia, mbështetet edhe nga raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas kësaj force politike.

“Raporti i KLSH-së konfirmon se, pavarësisht se analizat e check up-it i ka kryer vetëm 26 % e popullsisë, kompania e Vilma Nushit, kliente dhe sponsore e Edi Ramës, është paguar me 22 milionë euro, 7 milionë prej te cilave për analiza të pakryera kurrë. Ky abuzim skandaloz me taksat e shqiptarëve për një shërbim të padhënë është vënë në dukje për të dytin vit rradhazi edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke theksuar dy linja korruptive që favorizojnë kompaninë sponsorizuese të kryeministrit. Linja e parë është pagesa prej 2.1 milionë euro në vit, që KLSH e klasifikon si dëm në buxhet, sepse koncesioni i Vilma Nushit është paguar për rreth 145 mijë vizita të pakryera. Linja e dytë korruptive është një skandal po aq i madh, që implikon Drejtorinë e Tatimeve, e cila, sipas KLSH-se, ka rimbursuar 1.8 milionë euro TVSH, për koncesionarin e check up-it, pavarësisht se ligji i përjashton shërbimet shëndetësore nga detyrimet tatimore”.

Rishikim të kontratës ka rekomanduar KLSH, në mënyrë që të eleminohen pagesat për shërbimet e pakryera, por qeveria nuk ka reaguar thekson Spahia.

“ Në një vend ku Prokuroria nuk do të ishte nën kontrollin e kryeministrit, zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Drejtorisë së Tatimeve sot, duhet të ishin në burg për abuzim flagrant me fonde publike në favor të një kompanie private, të lidhur direkt me kryeministrin!”

Partia Demokratike përsërit vendosmërinë për anullimin e koncesionit të check up-it dhe çdo koncesion tjetër korruptiv, si dhe rikthimin e parave të grabitura tek shqiptarët përmes amendimit të ligjit antimafia, përfundoi Bardh Spahija./abcnews.al