PD akuzon ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, për paligjshmëri në furnizimin me ilaçe të farmacisë së QSUT-së dhe skadimin e shumë barnave në të. Deputeti Bardh Spahia në një deklaratë për mediat iu referua agjencisë BIRN, kur tha se 93 % e ilaçeve në farmacinë qëndrore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë të skaduara.
Rreth 4 miliardë e 550 milionë lekë për 15 ton barna të skaduara. Është ky bilanci sipas Partisë Demokratike, mbi të cilin prokuroria duhet të kishte nisur menjëherë hetimin mbi përgjegjësit për barnat e skaduara në farmacinë qëndrore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë tereza” , publikuar pak kohë më parë nga një hetim mediatik. Ata vetë e identifikojnë të parin.
“Ministrja e Shëndetësisë, e cila, para kësaj detyre, ka qenë Drejtoresha e Qendrës Spitalore Univeristare “Nënë Tereza”është përgjegjësja kryesore për shndërrimin e QSUT-së në koshin e mbeturinave të ilaçeve të skaduara. Që kur u emërua në detyrë 5 vjet më parë në QSUT, Ogerta Manastirliu, në mënyrë kriminale dhe në shkelje flagrante të ligjit, ka lejuar të skadojnë ilaçet që ka gjetur në depon farmaceutike të spitalit, duke blerë vazhdimisht me tendera të dyshimtë dhe duke pranuar si dhuratë barna me afat të afërt skadence, asgjesimi i të cilave ka kosto shumë të lartë”.
Për t’i kursyer këtë kosto disa kompanive private, ministrja ka kthyer depon farmaceutike të QSUT-së në kosh plehrash, theksojnë demokratët, të cilët i shtrojnë disa pyetje Manastirliut.
“Tek cilat kompani ka blerë ilaçe me afat të afërt skadence?. Nga cilat kompani ka pranuar gjoja dhuratë, duke i çliruar ato apo ortakët e tyre jashtë Shqipërisë nga kosto e lartë e asgjësimit. Ku janë depozituar aktualisht barnat e skaduara dhe a ka nisur asgjësimi i tyre?”.
Përgjigja i erdhi shpejtë dhe e njohur. Shpifje , e quan Manastirliu denoncimin e demokratëve.
“Një nga punët e bëra në katër vitet që drejtova Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ishte që i dhamë fund praktikës së blerjes së barnave në prag skadence, e bashkë me të, edhe pazarit që bëhej në kurriz të jetës së qytetarëve. Ilaçi më i mirë, i paskadueshëm, përballë shpifjeve janë faktet dhe shifrat”.
Dhe faktet, sipas ministres, tregojnë se prej vitit 2014 në çdo kontratë blerje barnash në QSUT u përfshi nje klauzole e posaçme ku shoqëria furniture tërheq dhe zëvendëson medikamentet afati i skandencës së të cilave afron për shkak të mos përdorimit të ilaçit.
Ky është fakt – njofton Manastirliu e cila praktikën e marrjes së donacioneve të barnave me afat të afërt skadence, e quan praktikë të vjetër të vetë demokratëve.
Në përfundim.
“Siguroj qytetarët dhe pacientët se në Farmacinë e QSUT, nuk ka ilaçe të skaduara, pasi çdo medikament merret në dorëzim nga një grup verifikimi, hyn në farmaci sipas një sistemi të dixhitalizuar dhe dorëzohet në shërbime, i kontrolluar nga ekipet përgjegjëse”.
Sa i përket barnave të skaduara të akumuluara prej viteve 2009 e në vijim, në magazinat e QSUT, ministria shpjegon se është hapur procedura e asgjesimit nga insitucioni përgjegjës. /abcnews.al