Pavdekësia e artistit në ekspozitën “ Prekja”, prezantohen si homazh veprat e Bajose Arapit

schedule19:22 - 6 Nëntor, 2021

schedule 19:22 - 6 Nëntor, 2021

Nga Leontina Nika

Fill pas mbylljes së Galerisë Kombëtare për shkak të rikonstruksionit për dy vite, hap dyert Galeria e Tiranës. Drejtori i saj Abaz Hado, i cili ka drejtuar më herët edhe Galerinë Kombëtare pranon se përkimi i këtyre dy momenteve nuk është thjeshtë rastësor, por strategji.

Sipari i këtij institucioni nis me ekspozitën ” Prekje” si homazh për dy artistë të cilët humbën jetën nga Covid 19, piktorin Mustafa Arapi dhe skulptorin Arben Bajo. Qëllimi kryesor është për të prekur pavdeksinë e artistit.

Mustafa Arapi megjithëse gjerësisht njihet si mjeshtër i restaurimit të veprave të artit bizantin në Institutin e Monumenteve të Kulturës, kjo është njëra anë, pasi potenca e tij si piktor është e pamohueshme. Forcën më të madhe krijuese e ka te grafikat, ku elementet ikonografike ndihen lehtë në krijimtarinë e Arapit, por duke ruajtur me mjeshtëri veçantinë e tij thekson Hado.

Në sallën e bardhë prezantohen 20 grafika , të cilat lëvizin mes ëndrrës dhe realitetit testament artistik që na ka lënë pas mjeshtri Arapi.

Krahas penelave përdorur prej tij, e heshtur tashmë rri edhe violina pasion i artistit që me tingujt e saj thyente heshtjen e studios si dhe i jepte alegri takimeve mes miqve.

Teksa shtegton në galeri, ndalesh te dhoma gri, dedikuar krijimtarisë së të ndjerit skulptorit Arben Bajo. Sallën e mbizotëron nudoja elegante dhe melankolike një krijim i veçantë dhe i dashur për skulptorin.

Salla e kuqe bën thyerjen me prezantimin e veprave të autorëve të ndryshëm që kanë derdhur në penelata Tiranën ndër vite. Piktorë të brezave të ndryshëm pasqyrojnë pejsazhin dhe elementet etnografike të kryeqytetit. Veçohen punimet e Guri Madhit, Lec Shkrelit, Ismail Lulanit e Pandi Meles, duke ardhur deri te artistët bashkëkohorë si Ardian Isufi apo Helidon Haliti. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!