Opozita parlamentare përmes të gjithë aktorëve të saj politik po tenton ti imponohet mazhorancës në lidhje me kërkesën e saj për ndryshime kushtetuese dhe hapjen e listave të kandidatëve për deputetë.
Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka bindjen se marrëveshja e arritur në tryezën e Këshillit Politik duhet të rrëzohet dhe kërkon që Parlamenti të miratojë kërkesën e opozitës për ndryshime kushtetuese.
“Duam që marrëveshja e arritur në tryezën e këshillit politik të rrëzohet se është hap pas për shqipërine. Ne jemi me të dy duart pro kauzës së listave të hapura dhe presim që parlamenti ta votojë”, deklaroi Patozi.
Edhe pse nuk e sheh heqjen e koalicioneve si qëllimin kryesor të opozitarëve në parlament, Patozi sqaron se nëse ndodh hapja e listave automatikisht bie edhe formula aktuale e koalicioneve parazgjedhore.
“Nëse miratohet hapja e listave, automatikisht bien koalicionet, por ka 2 opsione që mund të realizohen koalicionet. Opsioni i parë është brenda një liste të përbashkët dhe varianti tjetër është që koalicioni të ngjizet përpara zgjedhjeve dhe të bëhet pas zgjedhjeve”, u shpreh ai.
Ramës dhe Bashës i kujton marrëveshjen e 2017 kur me një vendimmarrje personale shpërfillën kushtetutën dhe i hoqën koalicionet.
“Ata që sot duan ruajtjen e koalcioneve, në 2017 shkelën Kushtetutën dhe çdo ligj kur hynë në zgjedhje pa koalicione”, tha kreu i Bindjes Demokratike.
Një mesazh e ka edhe për Partinë Demokratike dhe procesin e nisur prej saj për zgjedhjen e kandidatëve përmes parimit një anëtar një votë.
“PD kishte mision të ndryshonte Shqipërinë dhe të hapte listat, por ajo nuk e bëri dhe tani thotë do të hap garën brenda vetes, brenda të bej ç’ të dojë por ky nuk është mision për Shqipërinë”, u shpreh Patozi.
Dorën e bashkëpunimit pranon se do ta ketë të zgjatur për çdo forcë që pranon hapjen e listave, ku për shkak të qëllimin të përbashkët për rrëzimin e qeverisë e sheh më të mundur me koalicionin opozitar./abcnews.al