Patozi: Na duhet kufizimi i kompetencave të kryeministrit, jo Metës

schedule16:35 - 19 Nëntor, 2019

schedule 16:35 - 19 Nëntor, 2019

Astrit Patozi ka reaguar pas debatit të ditëve të fundit në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, përmes të cilës do t’i kufizohen kompetencat Presidentit të Republikës. Nisma është marrë nga PS pas përplasjeve të fundit për emërimet në Kushtetuese.

Kreu i Bindjes Demokratike shprehet se mirë për Shqipërinë është kufizimi i kompetencave të kryeministrit dhe jo të Presidentit.

“Shqipëria ka realisht një nevojë ulëritëse për ta prekur kushtetutën, por jo duke kufizuar Presidentin e Republikës. Sepse ne hallin më të madh e kemi me kryeministrin, të cilit duhet t’ia hollojmë sa të mundemi pushtetin dhe t’ia zvogëlojmë kompentencat”, shkruan Patozi.

Postimi i plotë
Në këtë vend nuk mund të thuash asnjëherë që e keqja ka prekur fundin, ndaj edhe asgjë nuk mund të parashikohet me siguri. Me sa duket, dikujt i ka ka lindur në kokë marrëzia e radhës për të shpëtuar prej Ilir Metës, duke ndryshuar kushtetutën.

Në fakt, Shqipëria ka realisht një nevojë ulëritëse për ta prekur kushtetutën, por jo duke kufizuar Presidentin e Republikës. Sepse ne hallin më të madh e kemi me kryeministrin, të cilit duhet t’ia hollojmë sa të mundemi pushtetin dhe t’ia zvogëlojmë kompentencat.

Është e vëtmja mënyrë për të reduktuar dëmin që mund të sjellë ai, fillimisht duke deformuar zgjedhjet, e më pas duke sunduar me arrogancë, në vend që të qeverisë normalisht.

Por çudia qëndron se ata, që ngazëllehen me të drejtë në stadium nga thirrjet “Rama ik”, nuk thonë asnjë fjalë për këtë çështje. Ndërkohë BINDJA DEMOKRATIKE ka shpallur prej gati një muaji një platformë serioze për reformimin e plotë të sistemit tonë politik, në epiqendër të së cilës është kufizimi drastik i pushtetit të kryeministrit.

Sipas nesh, kjo është e vetmja rrugë për të shpëtuar shoqërinë nga humori dhe shijet banale të udhëheqësve, që shndërrohen gradualisht në përbindësha politikë, duke keqpërdorur privilegjet që i garanton sistemi ynë i dështuar.