Nga Astrit Patozi
Nëse Mark Marku nuk do të kishte folur, Kuvendi i PD do të kishte qenë edhe më keq se një ngjarje e mërzitshme. Ku lajmi i vetëm do të ishte se ai u mblodh, sa kohë që u thanë të njëjtat gjëra nga të njëjtët njerëz.
Ndërhyrja e tij e shpëtoi në një farë mënyre Kuvendin, i cili ndryshe do të linte shijen e leximit të një relacioni projekligjesh, nga ato më pak të rëndësishmit në parlament, ku mungon edhe vëmendja e atij që e ka shkruar.
Lexo edhe: Mark Marku me tone të ashpra: Kemi faj që na vodhën zgjedhjet, PD në pikë kritike
Ky është ndoshta rasti tipik për të kuptuar se politika nuk është gjithmonë çështje numrash, edhe sepse numrat vetë nuk jepen një herë e përgjithmonë në politikë.
Nganjëherë mjafton një zë e vetëm për ta bërë të ndjehet e mundur të gjithë turmën mediokre, që mbështillet rreth udhëheqësit. Dhe për ta hedhur në kosh të gjithë regjinë dhe burokracinë e kushtueshme të organizimit të një eventi pompoz, për të mbuluar boshllëkun ulëritës nga mungesa e vizionit dhe e vullnetit për të ndryshuar.
Kjo është, në fakt, fuqia që vjen nga kombinimi i idesë së duhur me kurajon për të thënë disa të vërteta, edhe atëherë kur pothuajse të gjithë u janë dorëzuar hipokrizisë për të mos e parë dhe gjetur kurrë përgjegjësinë tek vetja.
/Abcnews.al