Nismëtarët e projektit më të ri politik, “Bindja demokratike” kanë paraqitur në gjykatë kërkesën për regjistrimin e kësaj partie, si dhe në KQZ kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet e 30 Qershorit. Koordinatori Astrit Patozi tha në studion e ABC Neës se Bindja Bemokratike synon çlirimin e këtij sistemi nga dy partitë e mëdha, ndryshim të sistemit zgjedhor dhe krijimin e një modeli qeverisjeje të një partie mbi bazën e votës.
Bindja Demokratike sapo është ngjizur. Lulzim Basha, që drejton partinë nga u shkëputën nismëtarët e saj bëri një koment për këtë forcë të re politike. Por koordinatori i partisë së re, Astrit Patozi e ka një përgjigje.
“Unë nuk mendoj se ka opozitë më false sesa ky njeri që bëri pazarin më të pisët të politikës shqiptare në Majin e 2017-s”, tha Patozi.
Për Patozin, djegia e mandateve parlamentare është tradhti ndaj zgjedhësve. Sipas tij, një parti në opozitë duhet të përballet me qeverinë edhe kur është në ditën tënde më të keqe. Ndaj ai është i bindur për pjesëmarrjen e Bindjes Demokratike në zgjedhje.
“Nuk asnjë mënyrë tjetër për të shkuar te ëndrra ime për çlirimin e zgjedhjeve se sa të hyj në zgjedhje. Nuk di ndodnjë mënyrë tjetër. Nuk mendoj se po të ishte kjo forma digj mandatet dhe zgjidh çështjen do ta kishte bërë bota përpara. Për mua më mirë të shkojmë në zgjedhje të ishin pak më të mira se të tjera. NËse nuk jemi bashkë që të ruajmë votën në këtë pisllëk që bëhet, ne nuk mund ta zgjidhim”, tha Patozi.
Astrit Patozi e sheh të pamundur që opozita të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve dhe të çojë në përplasje civile, sikundër është deklaruar së fundmi nga përfaqësues e drejtues të saj.
“Këta që thonë do ketë përplasje se s’ka si mos të ketë, nuk kanë parasysh veten që do i bllokojnë zgjedhjet, por kanë parasysh ca të tjerë. Po të shkosh te ca të tjerë, ata kanë parasysh ca të tjerë që nuk mund të zgjidhen kurrë kush janë. Ajo është një gjë që nuk do doja ta mendoja as në ëndrrën më të keqe. Pse? Sepse nuk mund ta paralajmërosh aq më tepër ta praktikosh”, tha Patozi.
Thotë se Basha po e menaxhon shumë keq opozitën e tashmë marrëdhënia e tij me PD-në është kapitull i mbyllur.
“Unë jam shumë krenar për kohën që kam qenë atje. Aq kohë sa kam kontribuar jam munduar të jap maksimumin. Të tjerat nuk kanë rëndësi nuk kanë vlerë”, tha ai.
Bindja Demokratike, sipas Astrit Patozit, është shtëpi e lirisë së të gjithëve, sidomos e të rinjve, të cilët i fton t’i bashkohen kësaj force politike. Oferta mbetet e hapur edhe për kryetaren e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari, për të cilën këto ditë pati lajme se do të ishte pjesë e këtij projekti të ri politik.
“Unë e kam thënë që kam respekt dhe vlerësim të lartë për zonjë Hajdari jo vetëm që është vajza e mitit të PD-së dhe mikut tim personal, por kam përshëndetur gjestet e saj që më duken të drejta. Jemi takuar bashkë, kemi diskutuar dhe për këtë projekt të ri politik. Ajo është e mirëpritur çdo ditë që nga sot deri kur ta mendojë tek ky projekt sepse nuk është projekti im, por i shumë njerëzve”, tha Patozi.
Bazamenti i Bindjes Demokratike, sipas Astrit Patozit, është vota. Ai thotë se me këtë projekt të ri do të krijohet një model se si qeveriset një parti politike./abcnews.al