Gigio Donnarumma është një nga pikëpyetjet e mëdha të Milanit. Portierit i përfundon kontrata verën e vitit 2021 dhe palët kanë nisur prej disa kohësh bisedimet për rinovimin e marrëveshjes, por akoma nuk ka një akord. Portieri, nëse nuk pranon të nënshkruajë kontratën e re do të shitet këtë verë.
Në këto kushte te Milani duhet të mendojnë edhe për një portier tjetër që të zëvendësojë shtatlartin italian. Tuttosport zbulon emrin që kuqezinjtë janë duke vëzhguar dhe kanë në plan ta afrojnë në ekip. Bëhet fjalë për Pedrag Rajkovic, i cili ka spikatur këtë sezon në Ligue 1.
Serbi është pjesë e Stade Reims dhe në 12 ndeshje e ka mbajtur portën e tij të paprekur. Rajkovic ka pësuar 18 gola në 27 ndeshje dhe cilësohet si ndër më të mirët në kampionatin francez. Kjo u ka rënë në sy edhe drejtuesve të Milanit, që duhet të paguajnë për të, pasi është nën kontratë deri më qershor të vitit 2023. /abcnews.al