“Paratë e krimit pastrohen në blerje apartamentesh, edhe bankat të përfshira”/ Dumani: Call Center, menaxhim nga grupet kriminale

schedule10:35 - 22 Maj, 2024

schedule 10:35 - 22 Maj, 2024

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani thotë se pastrimi i parave mbetet një shqetësim.

Gjatë raportimit para deputetëve në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për rezultatet e arritura nga SPAK në vitin 2023, Dumani u shpreh se grupet kriminale shqiptare janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikimit të drogërave të forta.

Dumani shtoi se grupet kriminale menaxhojnë call center-a duke u shkaktuar njerëzve një dëm prej miliona eurosh.

“Hetimet e vitit 2023, tregojnë se grupet kriminale shqiptare janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikimit të drogërave të forta, duke pasur e kontrolluar trafikun e ciklit të mbyllur. Këta grupe krinimale kanë aktivitet kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian, Britaninë e Madhe, por edhe në rajon. Duhet cilësuar si shqetësim veprimtaria e sofistikuar e grupeve kriminale, duke vepruar me call center. Aktiviteti i tyre kriminal, dëmi shaktohet në miliona euro. Nga analiza na rezulton se tregjet kriminale në Shqipëri, paraqesin situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë Kruja. Në Tiranë dhe qytetet bredgetare grupet merren kryesisht me pastrimin e parave, trafiku i narkotikëve ka shfaqur problematikë në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin.

Investimet në prona të luajtshme dhe të paluajtshme mbetet mënyra kryesore për pastrimin e parave në Shqipëri, veçanërisht në apartamente, ndërtesa dhe njësi shërbimi në Tiranë dhe zona turistike kryesisht në Vlorë, Durrës, Lezhë. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm parash dyshohet se depozitohen në llogari bankare në emra shoqërish tregtare ose të afërm të të dyshuarve. Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri përfshin përdorimin e bankave dhe bizneseve shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane.  Korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë është i evidentuar në Shkodër, Durrës, Laç dhe Fushë Krujë. Në Fushë Krujë është i pranishëm tregtia e armëve. Pastrimi i parave të krimit të organizuar, investimet në prona, mbetet mënyra kryesore në pastrimin e parave në Shqipëri”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!