Pasgoditjet e tërmetit vijojnë, sizmologët: Nuk ka vend për panik

schedule15:03 - 23 Shtator, 2019

schedule 15:03 - 23 Shtator, 2019

Lëkundjet e tokës nuk po ndalen pas tërmetit të së shtunës. Kjo ka ngjallur panik tek qytetarët. Sizmologët këtë e konsiderojnë situatë normale dhe shpjegojnë se çdo tërmet shoqërohet me pasgoditje deri në qetësimin e vatrës së tij.

Pasgoditjet e tërmetit 5.8 të shkallës Rihter që goditi Shqipërinë pasditen e të shtunës do të vijojnë. Sizmologët shpjegojnë se kjo është një situatë normale ndërsa tregojnë se deri mesditën e të hënës janë regjistruar 400 lëkundje ndonëse me energji më të vogël.

“Në këtë seri pasgoditjesh ka edhe disa nga këto që mund të jenë të dallueshme me magnituda 4 ose 4.5, të cilat ndihen në zonën e epiqendrës apo deri këtu në Tiranë. Ky është një proces i vazhdueshëm që vazhdon derisa të arrihet që këto të shuhen fare. Kjo ndodh për disa ditë, javë ose sipas zgjatshmërisë që mekanizmi vatror ka”.

A ka vend për panik?

“Nuk ka vend për panik. Duke u nisur nga goditja kryesore dhe kjo seri. Nuk mund të themi që parashikojmë tërmetet se është e pamundur. Këshilla kryesore është qetësia”.

Tërmeti me epiqendër pranë Kepit të Rodonit në Durrës, më i forti që ka goditur vendin pas atij të regjistruar në Shkodër 15 prillin e vitit 1979 konsiderohet nga sizmologët dhe si një paratest për godinat e ndërtuara vitet e fundit në Shqipëri.

“Për nga intensiteti si u ndie mund të themi që nuk ishte aq i fortë për faktin që ishte në një thellësi të madhe dhe kur është në një thellësi të madhe derisa vala del në sipërfaqe humbet energji, kështu që efekti nuk ishte i madh në sipërfaqe. Për këtë lloj tërmeti këto dëme ishin të pritshme. Ky është një test paraprak. Testi do ishte i plotë atëherë kur është i plotë, i magnitudës 6 dhe kur është cekët”.

Pjesa dërrmuese e ndërtesave sipas Emergjencave Civile kanë pësuar dëmtime të lehta dhe nuk kanë shfaqur problem në strukturën e tyre./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!