Mbretëria e Bashkuar ka filluar të tërheqë stafin nga ambasada britanike në Ukrainë pas paralajmërimeve për një pushtim rus. Zyrtarët thanë se nuk ka pasur kërcënime specifike për diplomatët britanikë, por rreth gjysma e stafit që punon në Kiev do të kthehet në Britani, raporton BBC, përcjell abcnews.al.
Ky vendim vjen pasi SHBA urdhëroi të afërmit e stafit të ambasadës së saj të largoheshin nga Ukraina, duke thënë se një pushtim rus mund të vijë “në çdo kohë”. Nga ana tjetër, Rusia ka mohuar të ketë ndonjë plan për veprim ushtarak në Ukrainë.
Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëroi gjithashtu njerëzit që të mos udhëtojnë në Ukrainë dhe Rusi për shkak të tensionit të vazhdueshëm. “Ka raportime se Rusia po planifikon veprime të rëndësishme ushtarake kundër Ukrainës,” tha në një deklaratë Departamenti i Shtetit.
Megjithatë, lëvizja është një masë paraprake dhe asgjë specifike mendohet të ketë ndodhur në 24 orët e fundit që të ketë shkaktuar vendimin. SHBA-ja ka theksuar se nuk është një evakuim, por Departamenti i Shtetit i tha agjencisë së lajmeve AFP se nëse do të kishte një pushtim rus, “nuk do të jetë në gjendje të evakuojë qytetarët amerikanë”.
Bashkimi Evropian nuk do të bëjë të njëjtën gjë për momentin. Shefi i Politikës së Sigurisë së BE-së Josep Borrell tha se ai nuk do të “dramatizojë” tensionet. Kreu i aleancës së mbrojtjes ushtarake të NATO-s ka paralajmëruar se ekziston rreziku i një konflikti të ri në Evropë pasi rreth 100,000 trupa ruse janë grumbulluar në kufi. g.v/abcnews.al