“Gjërat tona”/ Vajza pa emër që u masakrua në Tiranë, e vërteta e vrasësit serial që FBI hetoi në Shqipëri

schedule20:49 - 20 Tetor, 2024

schedule 20:49 - 20 Tetor, 2024

Dikush, diku, di diçka.

Diçka që mund të jetë thelbësore në shumë raste krimesh të pazbardhura.

Në raste kur dikush është zhdukur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij;

Në raste kur dikush është vrarë dhe nuk dihen rrethanat se si dhe nga kush;

Por dhe në raste kur dikush është vrarë, por nuk dihet identiteti dhe aq më pak autori.

E një rast i tillë, ka ndodhur edhe në Shqipëri. Fiks 18 vite më parë, më 20 tetor të vitit 2006, një vajzë u gjet e masakruar në liqenin e Zall Herrit, në periferi të Tiranës.

Ishte ora 21 e 30 e mbrëmjes, kur një ushtar  gjatë shërbimit si roje i repartit 1050, ka parë një pjesë të skemës makabre. Ushtari ka parë një makinë tip “Golf” që ka ardhur me shpejtësi në bregun e liqenit të Zall Herrit. Nga kjo makinë  kanë zbritur dy persona, të cilët mbanin qese dhe elektrikë në duar. Ata kanë hedhur qeset në liqen, kanë hipur në makinë dhe janë larguar me shpejtësi.

Dy fëmijë të fshatit Zall Herr ishin të parët që gjetën në liqen një pjesë trupi njeriu. Fëmijët lajmëruan kryeplakun e fshatit, i cili më pas njoftoi policinë e Komisariatit Nr.5.

U deshën disa orë që Policia të shkonte në vendngjarje, por kur mbërritën aty u përballën me një makabritet. Nuk bëhej fjalë për një mbytje, apo edhe për një vrasje nga ato që oficerët e Policisë ishin mësuar të shihnin më parë. Bëhej fjalë për një masakër. Trupi, që më pas rezultoi t’i përkiste një vajzë nga 15 deri në 20 vjeç, ishte prerë në 13 pjesë. U deshën disa orë kërkime që të gjendej gjithçka, përveç duarve. Kërkimet e palombarëve zgjatën dy ditë, derisa u dorëzuan mjekëve ligjor të gjitha pjesët e trupit të vajzës së masakruar.

U arrit që të ndërtohej një identikit nga piktori Vladimir Stamo. Në fund, Policia shpërndau fotografinë që i përafrohej disi viktimës, bashkë me disa karakteristika të saj. Ajo dyshohej të ishte 15-20 vjeç, që supozohej të kishte lindur në vitin diku mes viteve 1986 – 1991.  Kishte një gjatësi 156-160 centimetër dhe peshonte 50-55 kg. Flokët i kishte të gjatë, ngjyrë si të kuqërremte, por flokët origjinale kanë qenë në ngjyrë kafe ose kafe të errët. Ndërsa ngjyra e syve nuk përcaktohej qartë, por në dukje ishin jeshil. Vajza dyshohet me origjinë evropiane dhe si shenja dalluese ekspertët përcaktuan, mungesën e një dhëmbi prerës në anën e djathtë të pjesë së sipërme, buzë të holla, mjekër të zgjatur, hundë me konture të rregullta dhe një vrimë të vogël në secilin vesh. Ka një shenjë të vjetër në buzë, që është qepur para shumë kohësh. Ekspertët përcaktuan se ajo ishte vrarë para se të masakrohej në atë formë.

Në fund Policia vendosi dhe një shpërblim 50 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm që mund të çonte në identifikimin e saj, por as sot pas 18 vitesh nuk është mësuar emri i saj.

Dosja u arkivua me siglën “Pa autor”. Për këtë ngjarje, për herë të parë u ftuan në Tiranë 3 ekspertë të Byrose Federale të Hetimit nga Amerika, njëri prej të cilëve i specializuar për profilin e autorit. Kufoma u dërgua dhe u ekzaminua në një prej laboratorëve më në zë të Amerikës dhe si rezultat i konkluzioneve, ngjarja u lidh me disa krime të ngjashme në SHBA dhe Evropë. Për ato vrasje dyshohej një shtetas i Malit të Zi, nga Plava. Policia shqiptare dha kontribut, jo vetëm në informacion por edhe ndihmë konkrete në arrestimin e këtij personi nga agjentët e FBI-së. E megjithatë, ky autor i dyshuar nuk u lidh me viktimën e Zall Herrit. Ishte një hetim kompleks, që përfshiu të gjitha veprimet inovative, si përcaktimi i profilit të autorit, dërgimi i kufomës për ekzaminim jashtë Shqipërisë, përdorimi i sistemeve të inteligjencës kriminale, si pasojë e të cilës pati edhe një të dyshuar, i cili kishte akuza të provuara për 6 vrasje me të njëjtin “modus operandi”. Por sërish nuk pati një emër për viktimën.

Ngjarje të ngjashme në Evropë, të paktën 46 të listuara deri tani nga Interpoli, janë kthyer në vëmendje dhe drejtues Policie në disa vende evropiane, po bëjnë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, duke publikuar foto të përafërta të viktimave, karakteristika të tyre apo edhe objekte që mund t’i identifikojnë nga familjarët.

Operacioni i Interpol

Janë pikërisht këto raste si ngjarja e para 18 viteve në Tiranë, ato kur nuk dihet identiteti i viktimave, gra dhe vajza të masakruar dekada më parë, që prej vitit 2023 kanë nxitur Interpolin dhe 6 shtete të Bashkimit Evropian, Belgjikën, Holandën, Gjermaninë, Italinë, Spanjën dhe Francën, të nisin operacionin “Më identifiko”.

Fushata “Identify Me” e Interpolit po ndihmon në identifikimin e grave që kanë mbetur të panjohura për vite e vite me radhë. Pas një suksesi në vitin 2023, një thirrje e re për dëshmitarë u bë më 8 tetor 2024. Interpoli beson se, së bashku ne mund t’i ndihmojmë t’i kthejmë identitetin këtyre grave dhe vajzave, që në shumicën e rasteve kanë qenë viktima të krimeve makabre.

Gjashtë vendet evropiane, përmes Interpolit, kanë bashkuar forcat në përpjekje për të zbardhur 46 raste të pazgjidhura që përfshijnë gra të paidentifikuara, trupat e të cilave u gjetën në Evropë vite më parë. Shumica e tyre u vranë ose ndërruan jetë në rrethana të dyshimta dhe të pashpjegueshme. Personat e famshëm u bënë ambasadorë të kësaj fushate. Ajo mbështetet në mënyrë aktive nga aktorët, këngëtarët dhe sportistët e njohur në Belgjikë, Francë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Spanjë, që përmes një video-mesazhi, synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për këto raste dhe të inkurajojnë publikun që të marrë pjesë.

Nisma është vazhdimësi e suksesit të fushatës “Identify Me” nisur në maj të vitit 2023 për të identifikuar 22 gra të vdekura, e cila bëri të mundur marrjen e rreth 1800 informacioneve nga publiku. Ky apel thekson rëndësinë e pjesëmarrjes së publikut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në zgjidhjen e rasteve të pazgjidhura. Ajo jep shpresë se do të shfaqen pista vendimtare, në mënyrë që të identifikohen më shumë gra dhe të vendoset drejtësia nëse vërtetohet se ato ishin viktima të vrasjes.

Një thirrje për ndihmë nga qytetarët evropianë ka bërë edhe aktorja holandeze Anniko van Santen, përmes një video që është shpërndarë nga Interpol.

 Anniko van Santen

Kanalet e Amsterdamit janë me famë botërore, por të njohura edhe si vend i rëndësishëm në një rast të tmerrshëm të një vrasjeje të hershme. Të dielën e 6 shtatorit 1992, një kalimtar sheh dy duar dhe organe të brendshme në anë të Lauriergracht (një kanal në Amsterdam). Majat e gishtave ishin hequr nga duart dhe pas një vështrimi të mëtejshëm u gjenden edhe dy këmbë mbi ujë. Po atë ditë ndodh një tjetër gjetje. Në Egelantiersgracht (tjetër kanal në Amsterdam) zbulohet kjo valixhe dhe kur hapet kishte një bust (trup) brenda. Më 10 shtator në Prinsengracht (kanal tjetër në Amsterdam) u gjet gjithashtu një legen. Të gjitha nga e njëjta grua. Koka e saj nuk u gjet kurrë. Si mund të lihet dikush në këtë forme, e hedhur në copa?

Interpoli, Policia holandeze dhe programi holandez i krimit me të vërtetë duan t’i rikthejnë kësaj viktime emrin përmes fushatës “Identify Me”. Megjithëse nuk e dimë se si dukej fytyra e saj, ne kemi disa detaje rreth kësaj gruaje që shpresojmë se do të thotë diçka për dikë. Ajo ishte 25 deri në 45 vjeç kur u gjet. Kështu që ajo ka lindur midis viteve 1947 dhe 1967. Gjatësia e saj vlerësohet nga 1.60 në 1.70 metra. Gruaja kishte lëkurë të çelur, mendohet se kishte sy blu dhe me trup normal. Në bazë të një floku të marrë, ajo ndoshta kishte flokë bjonde të errëta me onde që sapo ishin dekoloruar. Dhe një detaj mjekësor, mitra e saj ishte hequr me kirurgji. Stomaku i saj kishte një shenje të operacionit. Ajo u vra rreth 1 shtatorit 1992 dhe personi që e la pas kishte një valixhe si kjo. Dikush duhet të ketë vënë re se një grua e rritur u zhduk nga fundi i gushtit deri në fillim të shtatorit 1992. Këto pjesë trupi të bashkohen serish në një njeri dhe t’i japim një emër kësaj gruaje. Ndajeni këtë thirrje”.

“Identify Me” ka marrë tashmë rezultate bindëse me zbardhjen e një rasti 31-vjeçar. Dy ditë pas nisjes së fazës së parë të operacionit, më 10 maj 2023, të afërmit e shtetases britanike Rita Roberts, kontaktuan shërbimin e dedikuar telefonik pasi njohën në media tatuazhin e të resë.

Rita Roberts ishte 31 vjeç kur u largua nga Cardiff-i, i Uellsit, në shkurt 1992. Familja e saj nuk mori më lajme pas majit 1992 dhe trupi i saj, atëherë i paidentifikuar, u zbulua në Antwerp më 3 qershor 1992. Hetimi përcaktoi se ajo ishte vrarë. Ky rast vazhdon të hetohet në kuadër të operacionit ndërkombëtar për kërkimin, identifikimin dhe marrjen e drejtësisë për gratë e ndjera.

Edhe sekretari i Përgjithshëm i Interpol, Jurgen Stock, u është drejtuar qytetarëve për ndihmë.

 Jurgen Stock

Ne kemi nevojë për ndihmën tuaj. Ne kemi nevojë që ju të na ndihmoni t’i zgjidhim këto çështje penale të pazgjidhura. Qëllimi ynë është të identifikojmë këto gra të ndjera dhe t’u japim përgjigje familjeve të tyre. Pavarësisht nëse është një kujtim, një këshillë ose një histori e përbashkët, detaji më i vogël mund të ndihmojë në zbulimin e së vërtetës. Veprimet tuaja mund të jenë çelësi për të zbuluar një emër, një të shkuar dhe për të dhënë drejtësinë e vonuar prej kohësh. Ju lutemi shikoni këto histori dhe le të punojmë së bashku për t’u kthyer emrat dhe identitetet e tyre këtyre grave”.

Familja e Rita Roberts e pa tatuazhin e saj të veçantë në një raportin të BBC dhe e njohu menjëherë. Kontakti i fundit që 31-vjeçarja pati me familjen e saj ishte nëpërmjet një letre në maj të vitit 1992. Trupi i saj u gjet një muaj më pas.

Familja e saj tha se lajmi ishte tronditës dhe zemërthyes. Ata kontaktuan Interoplin duke thënë se Rita, një vajzë e pasionuar dhe me shpirt të lirë, ishte marrë mizorisht. Për ta lajmi ka qenë i vështirë për t’u pranuar, por njëkohësisht janë shprehur mirënjohës që pas kaq shumë vitesh mësuan se çfarë i kishte ndodhur.

Rita Roberts kishte udhëtuar nga shtëpia e saj në Cardiff, drejt qytetit belg të Antwerp-it në shkurt të vitit 1992. Trupi i saj u gjet i shtrirë në një grilë, në një lumë katër muaj më vonë, pasi ajo ishte vrarë dhunshëm. Familja tregonte se ajo i adhuronte udhëtimet.

Drejtori Ekzekutiv për Shërbimet Policore të Interpolit, Stephen Kavanagh, tha se një anëtar i familjes e identifikoi atë pasi kishte parë tatuazhin e saj, një lule e zezë me gjethe jeshile dhe “R’Nick” të shkruar poshtë. Pasi njohu tatuazhin, familja u takua me hetuesit në Belgjikë dhe e identifikuan zyrtarisht atë.

Stephen Kavanagh

“Ka një kontradiktë të tmerrshme këtu. Ne jemi krenarë që kemi qenë në gjendje të punojmë me vendet anëtare. Jemi krenarë që kemi qenë në gjendje të identifikojmë këtë grua, Ritën, por jemi gjithashtu të shkatërruar për familjen, sepse ata kanë humbur një të dashur në rrethana brutale. Ky është vetëm fillimi. Jemi duke ndjekur edhe shumë raste të tjera”.

Motra e Rita Roberts

“Jam shumë e kënaqur qe po zhvillohet një fushate e dytë. Ka shume trupa të paidentifikuar në të gjithë botën dhe ne duhet t’i bashkojmë me familjet e tyre. Nëse ke një anëtar familje që ka humbur ose qoftë një të afërm që është zhdukur në skutat e shoqërisë dhe nuk e kemi parë prej kohësh, bëjini një kontroll. Mos e merrni të mirëqenë që janë mirë, pastaj raportojini menjëherë në Polici. Ju lutem, bashkohuni dhe ju. Kjo është shumë e rëndësishme. Ata janë motra, vëllezër, mama, teze, halla, janë njerëz. Vetëm se u mungon emri, por janë njerëz”.

Fushata e Interpol u iniciua nga policia holandeze, e cila po përpiqej të identifikonte një grua, trupi i së cilës u zbulua në një kosh me rrota që notonte në një lumë në periferi të Amsterdamit, në vitin 1999. Kësaj fushate i janë bashkuar tashmë edhe 5 vende të tjera të Bashkimit Evropian, por pritet që t’i shtohen edhe shumë e shumë vende të tjera. E një nga këto vende mund të jetë edhe Shqipëria, nisur edhe nga rasti i ngjashëm, ende i pa zbuluar. Tentativa e parë për zbardhjen e identitetit të kufomës së gjetur në Zall Herr, u bë në vitin 2007. Në atë kohë pati një autor të dyshuar, që në pak po hetohej për një krim të ngjashëm në Amerikë.

MASAKRA E NGJASHME NË AMERIKË

Pak pas orës 9 të mëngjesit, më 15 shtator 1990, pronarja e një kompanie të produkteve të çelikut doli në zyrën e saj në Vinegar Hill, pranë oborrit të marinës në Brooklyn, dhe vuri re një qese të zezë plehrash të vendosur në trotuar përpara. Ajo parkoi makinën e saj dhe shkoi të lëvizte qesen kur vuri re se nisi të rridhte gjak. Gruaja njoftoi menjëherë 911-ën. Brenda orës, Ken Whelan, një detektiv i vrasjeve, bëri kontrollin e parë të qeses së zezë. Ishte plot me pjesë të trupit të njeriut.

Whelan, i cili ishte 42 vjeç në atë kohë, teksa priste që të vinin ekspertët e skenës së krimit, një tjetër banor i Vinegar Hill u afrua dhe i tha atij për një qese të dytë të dyshimtë plehrash rreth bllokut, që gumëzhinte nga bletët dhe mizat. Brenda asaj çantë Whelan gjeti dy krahë dhe një këmbë. Disa orë më vonë, disa blloqe më tutje, ai zbuloi një çantë të tretë që përmbante një bust.

Eksperti mjeko-ligjor arriti në përfundimin se pjesët e trupit i përkisnin një gruaje. Koka dhe duart e saj nuk u gjetën kurrë. Sipas autopsisë, viktima ishte copëtuar pas vdekjes me një sharrë brezi, një thikë gdhendjeje dhe një sharrë hekuri. Whelan skanoi dosjet e personave të zhdukur, por pa gjurmë gishtash apo fytyrë, mundësitë dukeshin të pafundme. Ai i kaloi ditët e ardhshme duke kërkuar të dhëna për këtë krim. Askujt nuk i kujtohej të kishte parë apo dëgjuar ndonjë gjë të pazakontë.

Më 26 shtator të atij viti, zyra e personave të zhdukur thirri Ëhelan-in duke e orientuar tek një 61-vjeçare, banore e Bronx, e quajtur Mary Beal, e cila ishte zhdukur ditën që u zbuluan qeset e plehrave. Bel, një agjente imobiliare dhe përkthyese gjyqësore me kohë të pjesshme. Jetonte në një pallat me tulla pranë “Mosholu Parkway”. Ajo kalonte një pjesë të mirë të kohës duke u kujdesur për qentë. Aq sa një ditë, teksa bisedonte me fqinjin, i kishte thënë se duhej të niste të shqetësohej dhe ta kërkonte nëse nuk e shihte ndonjë ditë me qentë. Kur fqinji i sa nuk e pa Mary Beal në shëtitjen e saj të mëngjesit me qentë, njoftoi menjëherë Policinë. Njerëzit më të afërm të saj, motra dhe një nip nga Chicago, e informuan Whelan se Beal së fundmi kishte thyer kyçin e saj të majtë. Ai e gjeti këtë frakturë nëpërmjet rrezeve X dhe i dërgoi ekzaminimet në zyrën e mjekut ligjor, ku një patolog bëri rreze X të kyçit të këmbës së majtë të kufomës së gjetur në Brooklyn. Imazhet përputheshin.

Detektivi filloi të hetonte historinë dhe marrëdhëniet që kishte Beal me persona të tjerë. Ai zbuloi se në mesin e viteve 1980, Beal, e cila fliste serbo-kroatisht, përktheu një gjyq për kujdestarinë midis një jugosllavi të quajtur Smajo Dzurliç dhe gruas së tij të dytë. Dzurliç ishte një burrë shtatshkurtër, pa flokë.

Duke shqyrtuar të dhënat telefonike të viktimës, detektivi vuri re telefonata të shpeshta dhe të rregullta mes saj dhe Smajo Dzurliç, deri në ditën që ajo u zhduk. Një kasetë e gjetur nga aparati telefonik i Beal përmbante mesazhe dhe biseda të regjistruara që tregonin një marrëdhënie me pasion, por hera herës edhe shqetësuese. Bisedat tregonin se të dy kishin qenë edhe në shtëpinë e Beal, por edhe në shtëpinë e Dzurliç. Më 13 shtator, Dzurliç kishte lënë 5 mesazhe, duke iu lutur Beal-it të kthente telefonatën e tij. Viktima i ishte shprehur motrës së Smajo Dzurliç, se i vëllai i shkaktonte shumë pikëllim dhe askush nuk e kishte lënduar aq sa ai.

Nga fundi i shtatorit, hetimi i Whelan ishte kthyer në një gjueti për të kapur Dzurliç. Një fqinj raportoi se e kishte parë për herë të fundit më 15 shtator, përpara se ai dhe gruaja e tij e tretë, një grua më e re me emrin Sadija Agoviç, të shkonin në dyqan dhe nuk u kthyen më. Rreth asaj kohe, Dzurliç kontraktoi një punëtor ndërtimi me bazë në Bronx për të lyer dhe rifinuar dyshemetë e shtëpisë së tij. Megjithatë, kur puna mbaroi, Dzurliç ishte zhdukur. Kontraktori mori si pagesë mobiljet e dhomës së ndenjes së tij.

Smajo Dzurlic ishte rritur në Plavë, një qytet me shumë shqiptarë, në atë që njihej si Jugosllavia jugore, Mali i Zi. Ai emigroi në New York City në pranverën e vitit 1971 me gruan e tij të parë dhe tre fëmijët, duke punuar ditën si shofer taksie dhe natën si roje. Ai kishte pasur disa herë probleme me ligjin në Amerikë. Në vitin 1974, ai u deklarua fajtor për tentativë vrasjeje pasi qëlloi me pistoletë një person të dyshimtë pranë shtëpisë së tij. Tetë vjet më vonë, ai rrahu një këmbësor në Midtoën pasi i kishte goditur taksisë në një natë me trafik të rënduar. Pastaj gruaja e dytë e Dzulriç, Zinka, e akuzoi atë se e hodhi nga një dritare pesëkatëshe. Kur u ndanë, Mary Beal përktheu procedurat e divorcit.

Pavarësisht problemeve ligjore, Dzurliç nuk e pranoi kurrë që ai po mendonte të largohej nga Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit ai kishte marrë një kredi për një disa taksi “Ford” dhe pagesat mujore i bënte në kohë. Në qershor të vitit 1990, ai madje bleu një shtëpi në Bronx, ku jetonte me Agoviçin, gruan e tij të tretë. Madje Bel kishte ndërmjetësuar për shitjen e asaj shtëpie.

Katër muaj pasi u shfaqën qeset e plehrave, detektivi që po hetonte ngjarjen, mori një urdhër për të kontrolluar rezidencën e Dzurliç në Bronx. Pranë hyrjes kishte një grumbull postash. Enët kishin mbushur lavamanin e kuzhinës. Një thikë qëndronte në tryezë midis dy tavllave prej qelqi. Teknikët e skenës së krimit shkuan në vendin ku po kryheshin hetime. Pasi spërkatën shtëpinë me luminol, gjetën gjurmë gjaku në murin e kuzhinës dhe në dy thasë të zinj plehrash. Rezultatet e laboratorit treguan se gjaku ishte i Mary Beal. Pa asnjë dëshmitar për të ndihmuar në ngritjen e një çështjeje apo idenë më të vogël të vendndodhjes së Dzurliç, zyra hetimore vendosi të mos ngriheshin akuza.

Kaluan vite dhe Whelan u largua, ndërsa çështjen e mori përsipër një detektiv tjetër, Thomas Hickey,. Në vitin 1994, Hickey intervistoi përmes telefonit Agoviç, gruan e tretë të Dzurliç. Agoviç, e cili jetonte në Belgjikë në atë kohë, mohoi çdo njohuri të drejtpërdrejtë për vdekjen e Bel. Por ajo pretendoi se motra e Dzurliç, Muzafera Kliçiç, kishte dërguar një letër duke e zbuluar Dzurliç si vrasës. Kështu që Hickey trokiti në derën e Kliçiçit në Bronx dhe i bëri presion se do ta arrestonte nëse ajo nuk fliste. Kliçiç më pas doli para një jurie të madhe dhe kujtoi, nën betim, se në mëngjesin e 14 shtatorit 1990, Dzurliç erdhi në shtëpinë e saj dhe njoftoi: “Nuk do të ketë më Maria”. Ajo e pyeti se çfarë donte të thoshte dhe i vëllai i tha se Bel ishte “duke fjetur” në shtëpinë e tij. E motra e kishte pyetur më tej dhe ai i kishte treguar se kishte vdekur. Dzurliç i rrëfeu motrës së tij se e kishte goditur Belin në kokë me një çekiç.

Më në fund, më 18 janar 1995, Kings County akuzoi Dzurliç për vrasje. Problemi ishte gjetja e tij. Ai kishte jetuar në Belgjikë për disa kohë, megjithëse askush, as Departamenti i Policisë së New Jork-ut, Interpoli, Policia belge, Europoli apo FBI, nuk e dinte vendndodhjen e tij. Zyrtarët belgë këmbëngulën se Dzurliç ishte kthyer në ish-Jugosllavi. Kaluan gati 10 vjet. Dy detektivët amerikanë prej kohësh kishin dalë në pension, kur në vitin 2004, James Osorio, një detektiv nga Skuadra e Çështjeve të Vjetra, rihapi dosjen. Osorio kontaktoi FBI-në për informacione për Dzurliç, por ai nuk shkoi larg.

Në fillim të nëntorit 2006, një agjent i FBI-së, i i quajtur Mike Clarke shikoi një liqen të vogël 10 milje në veriperëndim të Tiranës, në Shqipëri, ndërsa disa zhytës kontrollonin nëpër ujin me baltë. Dy javë më parë, policia shqiptare ishte përballur me një ngjarje të pazakontë. Objekte të hedhura në liqen, ishin pjesë të trupit të një femre. Policia gjeti në fund gjithçka, përveç duarve të gruas. Pas një kërkimi të pasuksesshëm për një fajtor, hetuesit shqiptarë kërkuan ndihmë nga amerikanët në ambasadë. Policia shqiptare kishte informuar amerikanët se kishin dyshime për një vrasës serial. Clarke, i cili ishte një 44-vjeçar me pamje atletike, eci përgjatë bregut të liqenit në periferi të Tiranës, në Zall Herr. Më parë atë vit, ai mbërriti në Ballkan si atasheu i parë ligjor i FBI-së me bazë në Sofje, përgjegjës për të gjithë Bullgarinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Pjesa më e madhe e punës së tij përfshinte kundër terrorizëm dhe raste të krimit të organizuar. Por në këtë skenë krimi kishte një element makabër që tërhoqi vëmendjen e tij.

Clarke vizitoi morgun më pas. Ai e kuptoi shpejt se nuk do të nxirrte asnjë informacion nga kufoma: mjekët e kishin qepur përsëri trupin së bashku dhe kishin lidhur gabimisht këmbët, në mënyrë që gjymtyra e djathtë të ishte fiksuar në folenë e majtë të kofshës dhe anasjelltas. Dhe morgut i mungonte ftohja, kështu që kufoma e paidentifikuar kishte filluar të dekompozohej. Clarke njoftoi selinë e FBI-së. Ai nuk besonte se krimi kishte lidhje me atë që kishte ndodhur në Amerikë, por pranoi se ndihma e shqiptarëve për këtë rast do të krijonte vullnet të mirë brenda qeverisë së tyre, të cilën ai një ditë mund ta përdorte për të ndërtuar raste të krimit të organizuar ose për të ndjekur hetime terrorizmi. Tre agjentë, një specialist i Mjekësisë Ligjore, me përvojë me varreza masive në Kosovë dhe dy profilarë nga Njësia e Analizës së Sjelljes së FBI, mbërritën në Tiranë pesë ditë më vonë. BAU (Behavioral Analysis Units) dhe organizata e saj simotër, Njësia e Analizës së Sjelljes, u krijuan për të analizuar aktet kriminale të pazakonta, të çuditshme dhe të përsëritura.

Katër agjentët u nisën mëngjesin tjetër. Gary Reinecke, eksperti i Mjekësisë Ligjore, u dëshpërua kur gjeti bregun e liqenit të mbushur me bishta cigaresh dhe me gjurmë gomash të kryqëzuara. Çdo provë fizike që mund të kishte qenë aty, kishte humbur. Në morg, Craig Ackley dhe Dan Bermingham, BAU, menduan mbi kufomën sikur të ishte një pikturë abstrakte. U përpoqën të futet brenda kokës së autorit. Të gjithë përfundimisht arritën të njëjtin vlerësim të tmerrshëm: Ti nuk e di se kush është viktima, nuk ke skenën e krimit, nuk ke autopsi, nuk e njeh zonën. Ndërtimi i profilit të një të dyshuari nga të gjitha këto mangësi ishte praktikisht e pamundur.

Në hotelin Sheraton të Tiranës atë mbrëmje, Clarke bëri disa sugjerime. Reinecke rekomandoi dërgimin e trupit përsëri në Shtetet e Bashkuara, ku ai mund të organizonte një autopsi të duhur dhe potencialisht të mësonte diçka për gruan e vrarë. Clarke i telefonoi sërish selisë së FBI-së dhe mori lejen për të ndërmarrë hapin e pazakontë të transportimit të trupit të paidentifikuar në Uashington. Të nesërmen ai bleu një arkivol të veshur me plumb për 5000 dollarë, e vendosi kufomën brenda dhe pagoi një saldator që ta mbyllte arkivolin, sipas rregulloreve të linjës ajrore. Më 17 nëntor, ai pa ekuipazhin tokësor duke ngarkuar arkivolin në gjirin e ngarkesave të një fluturimi të Austrian Airlines, me destinacion aeroportin e Dulles.

Katër ditë pas kthimit nga Shqipëria, Craig Ackley ishte kthyer në zyrën e tij duke pritur që të vinin disa detektivë të rasteve të vjetra nga Departamenti i Policisë së New Jork-ut. Përveç mbështetjes së hetimeve të FBI, BAU këshillonte gjithashtu autoritetet shtetërore dhe lokale për rastet e tyre më shqetësuese. Ackley vazhdoi të mendonte për vrasjen në Shqipëri. Rezultatet e autopsisë treguan se vajza e paidentifikuar në Tiranë, kishte vdekur nga trauma të shkaktuara me një mjet të fortë, të mprehtë, në pjesën e pasme të kokës dhe më pas ishte copëtuar pas vdekjes. Por Ackley ende nuk dinte mjaftueshëm për të filluar skicimin e një profili të një të dyshuari.

Detektivët e vrasjeve mbërritën të shoqëruar nga disa agjentë nga zyra e FBI-së në New Jork, dhe Ackley udhëhoqi grupin në BAU në një sallë konferencash. Disa orë më vonë, James Osorio, dëgjoi Ackley-n duke diskutuar për udhëtimin e tij në Shqipëri dhe e ndërpreu bisedën. Ai tha se kishte një të arratisur për një çështje vrasjeje që ai po hetonte dhe kishte dyshime se ishte fshehur në Shqipëri. Ai rishfaqi detajet e çështjes së Meri Bel, copëtimin, vendosjen në qeset plastike, prerjet kirurgjikale dhe shprehu mendimin e tij se i dyshuari kryesor, Smajo Dzurliç, kishte kohë që kishte ikur nga Shtetet e Bashkuara dhe jetonte diku në Ballkan. Osorio përshkroi gjithashtu disa vrasje të pazbardhura që kishin ndodhur rreth qytetit belg të Mons në vitet 1996 dhe 1997, afër kohës kur Dzurliç jetonte në Belgjikë. Secili prej këtyre krimeve kishte si viktima femrat, të copëtuara. Detektivi që kishte qenë në Tiranë, përshkroi liqenin dhe viktimën e gjetur në liqen, duke pyetur se sa shanse kishte që edhe ky krim mund të ishte kryer nga i njëjti person.

Pjesa tjetër e sallës e shikonte me mosbesim, duke pyetur veten nëse po drejtoheshin te një vrasës. Për ta ishte shumë e rrallë zbardhja e këtyre ngjarjeve.

Pasi gjeti vendlindjen e Dzurliç, në Plavë të Malit të Zi, Clarke kërkoi një zyrtar lokal, me të cilin mund të koordinonte hetimin e FBI-së. Ai skanoi të dhënat e policëve ndërkombëtarë që kishin marrë pjesë në Akademinë e FBI-së në Virxhinia dhe gjeti një të ri malazez të diplomuar atje. Quhej Miodrag Stijovich. Clarke arriti në Podgoricë dhe gjatë një bisede me Miodrag Stijovich, i dorëzoi një skedar, i cili përfshinte një skicë të përmirësuar në mënyrë dixhitale të Dzurliç, pasi amerikanët nuk kishin parë një foto të tij për më shumë se 15 vjet. Hetuesi malazez e shfletoi shpejt dhe premtoi se nëse ndodhej aty, atëherë do ta gjenin. Ditë më vonë, ai kontaktoi hetuesin e FBI-së me një lajm të mirë: Një ekip vëzhgimi kishte gjurmuar dikë që përputhej me përshkrimin e Dzurliç. Ky person jetonte në një ndërtesë, ku kishin shtëpitë disa familje, në Podgoricë. Ai mbante një kapelë Yankees (Jankis), ngiste një taksi për disa orë çdo mëngjes dhe kujdesej për fikun, mollët dhe portokallet e tij pasdite. Kishte vetëm një mospërputhje, ai quhej Smajl Tulja.

Përpara se policia të bënte një lëvizje, Clarke donte prova, shenjat e gishtave në mënyrë ideale, për të kuptuar se ai ishte vërtetë personi që kërkonin. Hetuesi malazez gjeti një në dosje nga aplikacioni i kartës së identitetit të Tuljas dhe e dërgoi në bazën e të dhënave të gjurmëve të gishtërinjve të FBI-së, në Virxhinian Perëndimore, ku ishin ruajtur gjurmët e Dzurliç nga arrestimet e tij atje. Më 8 shkurt, telefoni i Clarke ra në mes të natës. Gjurmët përputheshin.

Meqenëse traktati i ekstradimit midis Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara nuk zbatohet për qytetarët malazezë, Clarke dhe kolegët e tij u detyruan të vlerësonin disa opsione. Një opsion ishte që Dzurliç të lëvizte nga Mali i Zi me një premtim të rremë dhe ta arrestonin atë në një vend, nga i cili mund të ekstradohej. Në vend të kësaj, ata u vendosën për ndjekjen penale ekstraterritoriale, ku Mali i Zi do ta ndiqte penalisht Dzurliç sipas procedurave të veta ligjore dhe udhëzimeve të dënimit për krimet që ai dyshohet se ka kryer në New Jork. Vetëm dy javë pasi Clarke informoi kolegun e tij malazez, në një natë të ftohtë dhe me erë, më 23 shkurt 2007, dhjetëra policë malazezë rrethuan murin e shtëpisë së Dzurliç. Një ekip oficerësh me rroba civile u ngjitën në shkallët që të çonin në hyrje. Një nga oficerët trokiti disa herë në derë.

Dzurliç hapi derën dhe menjëherë oficerët e rrethuan dhe e prangosën. Më pas hynë në shtëpi për të kontrolluar ambientet. Pas një ore, ata e nxorën Dzurliçin jashtë dhe e vendosën në sediljen e pasme të një makine Policie.

Ndërsa prokurorët malazezë shfletonin tufat e dosjeve të vjetra të policisë nga New Jorku, Clarke hetonte vrasjet e pazbardhura në Shqipëri dhe Belgjikë. Ai nuk i kapërceu dot ngjashmëritë mes vrasjes së Mary Beal, vrasjeve në Belgjikë dhe viktimës nga Shqipëria. Pesë muaj pas arrestimit të Dzurliç, Clarke fluturoi për në Belgjikë, së bashku me dy kolegë nga BAU. Ata donin të diskutonin mundësinë që Dzurliç ishte personi që shtypi belg kishte shpikur duke e quajtur “Kasapi i Mons”. Midis janarit 1996 dhe korrikut 1997, pesë gra u vranë dhe u copëtuan në afërsi të Mons, një qytet i çuditshëm me rreth 100 mijë banorë në Belgjikën jugore. Ackley gjithashtu kishte ekzaminuar vendosjen e prerjeve dhe instrumenteve të përdorura dhe, ashtu si Clarke, zbuloi se vrasjet ishin shumë, shumë të ngjashme.

Menjëherë pas FBI-së delegacioni mbërriti në stacionin e policisë në Mons, Ackley hapi laptopin e tij dhe informoi autoritetet belge për të gjitha këto të përbashkëta. Megjithatë, belgët nuk u bindën. Ata dinin për Smajon dhe kishin një foto të tij. Thanë se kishin bërë gjithçka në fuqinë e tyre për të provuar të fusnin Smajon në Mons gjatë harkut kohor të vrasjeve, por kishin dalë bosh. Sipas kabllogrameve të marra nëpërmjet Aktit të Lirisë së Informacionit, policia belge besonte se Dzurliç ishte arratisur nga vendi që në qershor të vitit 1995, gjashtë muaj para se të ndodhte vrasja e parë në Mons, kur djali i tij e informoi se amerikanët e donin atë në lidhje me vrasjen e Meri Bel. Kur Dzurliç ishte më në fund në paraburgim, zyrtarët belgë ishin aq të sigurt se ai nuk ishte “Kasapi i Monsit”, saqë nuk treguan interes për ta marrë në pyetje për këtë.

Më 19 mars 2008, Dzurliç hyri në sallën e gjyqit në Podgoricë i veshur me një kostum ngjyrë kafe të errët dhe një këmishë të bardhë të zbërthyer në qafë. Ai lexoi me zë të lartë një deklaratë shprehte pafajësinë e tij dhe e përshkroi arrestimin e tij si një konspiracion të FBI-së.

Smajo Dzurliç

Ky është organizimi më i madh ndonjëherë nga F.B.I. Ata kanë sjellë turp të madh në familjen time dhe të afërmit e mi. E përsëris, nuk kam asnjë lidhje me vrasjen e saj dhe nuk jam fajtor”.

Dzurliç u ul përsëri dhe nuk foli më për pjesën e mbetur të gjyqit.

Në Brooklyn, Jon Besunder, prokurori kryesor i vrasjeve, mblodhi dëshmitarët për të dëshmuar përmes videokonferencës. Një nga një, fqinjët, anëtarët e familjes, pronarët dhe punonjësit e Dzurliç dhe Beal u mbërthyen në një sallë të vogël konferencash në gjykatën e Kings County, përballë një videokamere të vetme. Nipi i Bel dhe dëshmitari i parë, i tha jurisë se vrasja e saj kishte përkeqësuar strukturën e familjes së tij.

Agovic, gruaja e tretë e Dzurliç, dëshmoi me video nga një qytet në Belgjikën. Kur u pyet se çfarë dinte për vrasjen, Agoviç pretendoi se Muzafera Kliçiç, motra e Dzurliç, i tha asaj se Dzurliç kishte krijuar një problem. Gjykatësi pyeti nëse “një problem” nënkuptonte vrasjen e Bel. “Diçka e tillë,” u përgjigj Agoviç.

Avokati i Dzurliç, ndërkohë, punoi për të shfrytëzuar një boshllëk procedural që do ta përjashtonte Kliçiçin, dëshmitaren kryesore të Prokurorisë, nga detyrimi për të folur në gjykatë. Në fund, Kliçiç u paraqit personalisht në Podgoricë dhe ushtroi klauzolën e përjashtimit. Pa dëshminë e saj, deklaratat e jurisë së madhe të të cilit formuan bazën e urdhrit të gjatë për arrestimin e Dzurliç, paneli i jurisë kishte vetëm grumbuj provash rrethanore dhe sjellje të dyshimta gjatë kohës kur u zbulua trupi i Bel. “A e ka parë dikush që babai im të vriste Mary Beal?” pyeti Selman Dzurliç, djali i Smajos. “A kemi një dëshmitar të tillë?”

Një panel gjyqtarësh prej pesë anëtarësh filloi diskutimet më 22 qershor 2010, gati 20 vjet pas vdekjes së Bel. Dzurliç u përball me një dënim maksimal prej 15 vjetësh për vrasjen dhe gjashtë muaj për 14 plumbat që gjeti policia, kur kontrolluan shtëpinë e tij. Trupi gjykues diskutoi për 10 ditë përpara se të kthehej në sallën e gjyqit, ku kryetari i trupit gjykues u ngrit dhe lexoi me zë të lartë vendimin unanim: Fajtor për të gjitha akuzat. Dzurliç u dënua me katër muaj për plumbat, 100 euro gjobë për tarifat gjyqësore dhe 12 vjet për vrasje. Ai nuk u zmbraps ndërsa aktgjykimi po lexohej.

Ai nuk e pranoi kurrë që ishte vrasësi serial që FBI përshkruante në dosje. Megjithatë të gjitha provat flisnin kundër tij.

Nuk u provua kurrë që ai kishte kryer një krim të ngjashëm edhe në Tiranë, tetorin e vitit 2006. Megjithatë u hetua gjatë për atë ngjarje. U provua se kishte qëndruar në Shqipëri, por jo se ishte autor i krimit. Nuk e lidhi dot askush me atë ngjarje, që prej 18 vitesh mbetet e pazbuluar.

Operacioni i Interpol, që arriti të identifikonte pas 31 vitesh një vajzë nga Uellsi të vrarë në të njëjtën mënyrë në Belgjikë, mund të përfshijë edhe Shqipërinë mes vendeve që iu bashkuan fushatës “Identify Me”.

Jurgen Stock

“Edhe me gjithë punën e policisë, shkëmbimi i informacionit është kyç për zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur. Operacioni ‘Identify Me’ është një kujtesë se informacioni që mund të ndihmojë në zgjidhjen e një çështje penale, mund të vijë nga kudo në botë. Interpoli është i kënaqur që pas 31 vitesh, përmes apelit tonë ndërkombëtar, ‘Identify Me’ ka ndihmuar në identifikimin e një viktime të vrarë në Belgjikë. Një gruaje të vrarë i është kthyer emri dhe identiteti  dhe e vërteta i është thënë familjes së saj. Raste të tilla ndërkombëtare nënvizojnë nevojën jetike për të lidhur policinë në mbarë botën, veçanërisht kur përfshihen persona të zhdukur. Ne përgëzojmë autoritetet në Belgjikë, Gjermani dhe Holandë për udhëheqjen e tyre në Operacionin ‘Identify Me’. Është punë e rëndësishme që vazhdon. Ne kemi ende nevojë për ndihmën tuaj për të identifikuar viktimat e tjera. Dikush, diku di diçka”.

Vajza që u gjet e masakruar në liqenin e Zall Herrit në Tiranë është varrosur në një varr pa emër. Por dikush, diku, me siguri di diçka edhe për të./abcnews.al

 

 

 

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!