Edhe pse zbardhja e komunikimeve ne aplikacionin SKY dhe goditjet e një pas njëshme nga SPAK, të atyre që i ka ngritur në nivel organizate kriminale, duket se ka trembur krimin, vrasjet dhe mbi të gjitha ekzekutimet mafioze, nuk munguan as në vitin 2024.
Të zbuluar në taktikat e tyre përmes bisedave të lirshme që bënin përgjatë viteve në platformën e enkriptuar, hetuesit dinë çdo formë të organizimit të tyre, por ende hasin vështirësi në zbardhjen e ngjarjeve me karakter mafioz dhe me pagesë.
41 vrasje u regjistruan gjatë vitit që lamë pas dhe ato ishin të karaktereve të ndryshme. Shumë prej këtyre krimeve ishin me bazë sociale, por që edhe ato tronditën njësoj shoqërinë tonë. Në një analizë të këtyre krimeve të rënda po risjellim edhe njëherë panoramën e këtyre ngjarjeve kriminale, me qëllim që ato të mos harrohen dhe pluhrosen në sirtarët e arkivave policore, por të hetohen dhe të zbardhen. E nga ato që janë zbardhur të vëmë edhe mësime, si të ruajmë fëmijet dhe shoqërinë, duke i dhënë vlerë jetës.
Viti 2024 u shënjua edhe nga ngjarje kriminale që nuk ishin të lidhura me krimin e organizuar, por tronditën thellë opinionin publik. Vrasje për motive të dobta, të lindura nga sherre banale, apo konflikte në familje.
Vrasja e parë e vitit 2024 ishte një krim në familje dhe ndodhi në zonën e Freskut në Tiranë. Vëllai vrau vëllain dhe më pas u vetëvra. E krime të ngjashme u shtrinë më pas në të gjithë vendin. Policia ka arritur të zbulojë shumicën e këtyre krimeve, me përjashtim të 6 ngjarjeve të konsideruara si të vështira, për shkak të natyrës mafioze.
Ervin Hodaj, drejtor i Krimeve të Rënda
Akoma në fazën e hetimit për t’u zbuluar janë 6 vepra penale, për të cilat po punohet nga ana e strukturave vendor, që mbështeten edhe nga strukturat qendrore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të rënda për zbardhjen e tyre. Kryesisht janë ngjarje të rënda me paramendim, kryesisht të tipit mafioz. Kemi ngjarjen në Tiranë, në Gjirokastër, në Shkodër, ngjarja në Vlorë, të cilat po ndiqen me precedencë nga ana e strukturave policore.
Vlora, është prekur pak nga hetimet me bazë platformën SKY, por niveli i kriminalitetit të saj dhe ashpërsia është treguar në disa nga dosjet e finalizuara me masa sigurimi. Këtë e tregoi edhe në fillim të 2024, kur me snajper u vra Gëzim Sinomataj. Krimi atje godet ashpër, ashtu sikurse edhe në Shkodër, Tiranë e Durrës. Madje në 2024-ën, plumbat përgjakën edhe Memaliajn, duke shkaktuar frikë dhe terror.
Ervin Hodaj
Sigurisht që qytetet me problematike, të cilat kanë veprat penale të vrasjet më të shpeshta, apo më të vështira për t’u zbuluar janë ato qarqet e mëdha, si Tirana, Shkodra, Vlora, Durrësi, si dhe Lezha. Pothuajse në të gjitha këto qarqe ka ngjarje të pazbuluara, për të cilat strukturat po punojnë, por vetë veprimtaria e krimit te organizuar ne këto qarqe të mëdha, bën që vrasjet, të cilat kanë një prapavijë të tillë, e bën edhe më të vështirë zbulimin e tyre.
Tashmë viti 2024 është mbyllur, me një bilanc tragjik, të paktën krahasuar me vitin para tij. Por disa nga vrasjet konsiderohen të vështira për t’u zbardhur. E disa të tjera kanë tronditur opinionin publik. E tillë ishte ngjarja e ndodhur më 18 nëntor 2024 në shkollën “Fan Noli”, u një 14-vjeçar u qëllua me thikë për vdekje nga bashkëmoshatari i tij.
Ervin Hodaj
Është një ngjarje shumë e rëndë, që shokoi jo vetëm opinionin publik, por edhe ne si të Policisë dhe nga ana jonë u trajtua me shumë kujdes, jo vetëm për shkak të viktimës, por edhe të autorit që ishte në të njëjtën moshë. Sigurisht që janë disa faktorë. Sigurisht që Policia ka përgjegjësinë e vet për të parandaluar këto lloj ngjarjesh mes të miturish, por mendoj se duhet të jetë një angazhim më i madh përtej Policisë, shkollës, shoqërisë, prindërve. Familja është shumë e rëndësishme. Këto lloj ngjarjesh, nuk mund të them se mund të shkojnë drejt zeros, por të minimizohen në maksimum. Besoj se ngjarja e fundit duhet të jetë një apel për të gjithë ne, për punonjësit e Policisë, se si duhet t’i trajtojnë konfliktet pranë shkollave, për oficerët e sigurisë në shkolla, për mësuesin në klasën duke dhënë mësim, apo edhe për ne prindërit me fëmijë.
PËRPLASJET E KRIMIT
VRASIN EDHE TË PAFAJSHËM
Ndonëse kanë ndodhur shumë krime në familje, vrasje për motive të dobëta apo për sherre banale, krismat e armëve të krimit të organizuar janë ato që dëgjohen më shumë kudo. Jo aq për larjen e hesapeve mes njëri-tjetrit, të anëtarëve të grupeve kriminale, sa për pasojat që lë pas përplasja e tyre që edhe gjatë vitit 2024 mori jetë të pafajshmish.
Vrasja me snajper në Vlorë, ajo e djalit të ish-gjyqtarit në Tiranë, masakra e Memaliajt dhe e Dobraçit konsiderohen nga hetuesit si ngjarje tipike mafioze, me pagesë dhe për larje hesapesh. Ngjarje që nuk kursyen as jetët e pafajshme, të njerëzve që u gjendën në vendin dhe kohën e gabuar në mes të breshërive të plumbave.
Ervin Hodaj
Sigurisht që krimi i vrasjes është një krim i vështirë edhe për t’u hetuar edhe për t’u zbuluar. Të paktën po them për vrasjet që janë me paramendim, apo ato të karakterit mafioz të krimit të organizuar. Këto janë edhe ngjarjet më të vështira dhe janë sfidë për Policinë për t’u zbuluar. Unë e thashë pak më lart janë 6 ngjarje, për të cilat strukturat Policore po punojnë. Sigurisht që kanë sfidat e veta, duke qenë se këto janë të lidhura me provat që grumbullohen në vendin e ngjarjes që janë të pakta, sigurimi i dëshmive të dëshmitarëve në vendngjarje, po ashtu janë edhe resurset të pakta dhe kjo e bën edhe më të vështirë punën e Policisë, por jo të pamundur. Ka pasur ngjarje që për arsye kohe nuk janë zbardhur në kohë rekord, por me kalimin e kohës, një muaj dy, pesë, qoftë edhe një vit, janë ngjarje që janë zbardhur. Nuk është një, janë disa ngjarje që ka premisa për dokumentimin e tyre, për shkak të provave që janë grumbulluar, analizave që janë bërë, por edhe grumbullimit të informacionit që mund të na çojnë drejt autorësisë.
7 Janar 2024
Rreth orës 22:00, të datës 7 janar 2024, lagjja “Hajro Cakërri”, pranë Poliklinikës në Vlorës, ishte në errësirë të plotë. Gëzim Sinomataj, 22 vjeç, djali i vetëm i Sokol Sinomataj, i cili kishte ardhur nga Belgjika, ndodhej në shtëpinë e xhaxhait të tij Bernadrit. Një makinë “BMË” dyshohet se mund të ketë qëndruar e parkuar disa metra më tutje, për disa minuta, me një rreze që shikonte drejt ballkonit të apartamentit të Sinomatajt. Kjo makinë është gjetur e djegur në lagjen “24 Maji” ku po ashtu ishte errësirë, gjë që ngre dyshimet se autorët e kanë njohur zonën dhe kishin llogaritur gjithçka, pasi energjia është rikthyer rreth 10 minuta pas ngjarjes. Në makinë është gjetur një bllok betoni, i vendosur në pjesën e pasme të saj. Nga rindërtimi i ngjarjes, ekspertët e Policisë besojnë se ky bllok betoni ka shërbyer për të fiksuar snajperin e përdorur në vrasje. Autori, që sipas ekspertëve mund të jetë një profesionist në përdorimin e snajperit, ka pritur momentin kur në ballkonin që kishte marrë në shenjë të dilte objektivi. Nuk është e qartë nëse objektiv i atentatit ka qenë djali apo vëllai i Sokol Sinomatajt, megjithatë një ngjarje me organizim të tillë vështirë se mund të ketë ngatërresë në objektiv. Në momentin që në ballkon ka dalë për të pirë cigare Gëzim Sinomataj, atentatori ka tërhequr këmbëzën, duke e lënë të vdekur në vend me një plumb në kokë.
Përveç predhës së një fisheku 7 milimetër, që ka goditur 22-vjeçarin, autorët nuk kanë lënë asnjë gjurmë tjetër në vendngjarje. Fakti që zona ka qenë në errësirë, para, gjatë por edhe 10 minuta pas ngjarjes, po verifikohet nga Policia si pjesë e planit të atentatorëve. Edhe pse ditën e ngjarjes, Vlora ka qenë e përfshirë një stuhi, që mund të ketë sjellë ndërprerjen e energjisë elektrike. Kamerat e sigurisë në këto kushte nuk kanë fiksuar asgjë.
15 Mars 2024
Atentati që dështoi mesnatën e 4 korrikut të vitit 2023, paçka se humbi jetën një i pafajshëm, u realizua në orën 16 e 20 minuta të 15 marsit 2024. Duket se të njëjtën autorë provuan sërish dhe kësaj here ekzekutuan 43-vjeçarin Gentian Bejtja. Sipas të dhënave të siguruara nga grupi hetimor, në ngjarje dyshohet të kenë marrë pjesë 4 persona. Ata janë afruar me automjetin “Land Rover”, më të cilin kanë udhëtuar nga Fushë – Kruja, në drejtim të fshatin Larushkë. Ai që drejtonte makinën, ka ndaluar pranë rrugës kryesore, ndërsa tre të tjerët, të veshur me të zeza e të maskuar, janë afruar në këmbë drejt shtëpisë së Bejtes, që ndodhej vetëm pak metra larg. Duket se ata kanë pasur informacion të saktë për momentin kur duhej të afroheshin, duke qenë në atë koha ka qenë e hapur porta dhe janë futur brenda në oborr ku ndodhej Gentian Bejtja. Autorët sapo kanë parë objektivin e tyre kanë qëlluar të tre me breshëri, me të paktën 50 plumba, duke e lënë të vdekur në vend.
Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore ka rezultuar se pas ngjarjes, autorët janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm. Nga kryerja e veprimeve hetimore është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur itinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë – Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq. Nga analiza e informacioneve, si dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Golf” me targë AB 960 GG, në pronësi të Edison Haxhiu, lindur në Milot dhe banues në Tiranë. Po kështu ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga Ilir Beqaraj i njohur edhe me mbiemrat Brahimi dhe Mançellari lindur në Milot dhe banues në Tiranë.
Ilir Brahimi, i dyshuar për përfshirjen në këtë ngjarje është kushëriri i Ylli Brahimit, që i shpëtoi 2 atentateve në vitet 2021 dhe 2022, në Milot, emër që lidhet direkt me Ervis Martinaj. Kjo lidhje shtoi dyshimet për hetuesit se pas vrasjes së Gentian Bejtes ishin njerëzit e Martinajt. Babai i Bejtes, ka dëshmuar për një takim mes djalit të tij dhe Ervis Martinajt rreth 1 vit e gjysmë para zhdukjes. Në atë kohë, Martinaj kishte dyshime se Bejtja ishte një prej ekzekutorëve të Paulin Gjergjit dhe Bujar Likës, në maj të vitit 2020, por pas takimit janë sqaruar. Sipas Gani Bejtes, Martinaj ishte bindur që Gentiani nuk kishte lidhje me ngjarjen, kjo nisur nga fizionomia e autorëve që shfaqeshin në pamjet e kamerave të sigurisë.
Pas kësaj ngjarje dyshohet se Bejtja i sheshoi mosmarrëveshjet me Ervis Martinajn, pa çka se më vonë u përfolur për një tradhti dhe pjesëmarrje të mundshme të 43-vjeçarit në ngjarjen kur u vra Brilat Martinajt.
Por nga ana tjetër, Policia ka dhe një pistë tjetër, në dukje më të fortë, që e lidh vrasjen e Gentian Bejtjas me Sidorel Prendin, apo siç njihej së fundmi, Roan Brahimi. Personi i arrestuar për vrasjen e Bejtjas, Ilir Beqaraj, apo Ilir Brahimi, është kunati i Roan Brahimit.
20 Korrik 2024
Në një sagë atentatesh për hakmarrje, vrasjesh e plagosjesh, të gjithë kanë pasigurinë për fundin e saj. Të vdekurit i marrin me vete përgjigjet, ndërsa të gjallët, ata që u shpëtojnë atentateve, as që e marrin mundimin të japin përgjigje. Të gjithë thonë s’kemi konflikte, edhe pse tashmë është realitet se dikush kërkon me çdo kush eliminimin e tyre. Këmbëngulja është e dukshme, që nga dy sulmet në Greqi ndaj Adriatik Kalemit dhe plagosja në Tiranë e vëllait të tij. Vrasësit duket se s’kanë ndërmend të dorëzohen e as të plagosurit të binden për të bashkëpunuar. Ata shohin vetëgjyqësinë si zgjidhje, të vetëdijshëm që për shumë ngjarje të tilla plumbat nuk kanë falur as të pafajshmit. Nga ana tjetër, autoritetet përgjegjëse, që dinë konfliktet, kanë indiciet e nevojshme për organizatorët, por nuk kanë gjetur ende prova, duket se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të parandaluar.
Dhe hakmarrja nuk u ndal me kaq. Një ngjarje shumë e rëndë, për më tepër e paralajmëruar ndodhi mesnatën e 20 korrikut 2024 në Memaliaj. Babai i Andrea e Zamir Kalemit, që u kishin shpëtuar 3 atentateve, u vra atë mbrëmje, ku u plagos rëndë edhe xhaxhai i tyre Artur Kalemi, 57 vjeç. Shënjestër e atentatit ishte 74-vjeçari Shyqyri Kalemi, babai vëllezërve Kalemi, njëkohësisht edhe daja i Aleksandër Sadikajt. Ai nuk i mbijetoi dot 6 plumbave të kallashnikovit. Po ashtu, kanë humbur jetën kamerieri 36-vjeçar, Gledio Muka dhe klienti 47-vjeçar, Marsel Çela, dy viktima të pafajshme të cilët kanë qenë në lokal në momentin e ngjarjes.
Ngjarja ka ndodhur në lokalin në pronësi të Artur Kalemit. Dy vëllezërit Kalemi, Arturi dhe Shyqyriu kanë qenë të ulur në të njëjtën tavolinë, në momentin që ka nisur breshëria e automatikut. Plumbat i morën jetën në vend, 74-vjeçarit dhe dy personave të rastësishëm që nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen. Autorët, që mendohet të kenë qenë tre persona, janë afruar pranë ambienteve të lokalit me automjetin e tyre dhe menjëherë kanë hapur zjarr duke lenë pas tre viktima, ndërsa janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Pas kontrolleve nga ana e policisë është konstatuar se në fshatin Bejaj te Mallakastrës është gjetur një mjet duke u djegur që mendohet të jete i autoreve të ngjarjes. Brenda saj janë gjetur edhe tre kallashnikovë. Ndërsa krimi trefishtë ende nuk është zbardhur. Të gjitha veprimet hetimore flisnin për një atentat të urdhëruar nga Greqia.
Për të gjitha këto ngjarje të ndodhura mes Shqipërisë dhe Greqisë, vetëm dy persona janë në burg. Policia tha se zbardhi ngjarjen e dytë, pa zbardhur ende të parën edhe pse motivin e lidhi me të. Për ngjarjen e fundit hetimet vazhdojnë. Por paralelisht me Policinë e Prokurorinë që po hetojnë, edhe ata që organizuan atentatet me gjasë nuk kanë ndërmend të ndalen.
30 Gusht 2024
Një 36-vjecar u vra më armë zjarri mesditën e 30 gushtit 2024 në Shkodër. Viktima ishte Elis Rroshkodoli, i cili vite më parë kishte mbajtur mbiemrin Haxhija. 36-vjecari ishte ulur bashkë me një shokun e tij në pjesën e jashtme të një lokali, në lagjen “Ahmet Haxhia”, kur një person i maskuar është afruar dhe ka qëlluar disa herë me armë zjarri. Në vendngjarje u gjetën 15 gëzhoja. Atentati ishte i mirëorganizuar dhe vrasësi u largua menjëherë nga vendi i krimit me një automjet që e priste jashtë lokalit.
Në ndjekje të tij u angazhuan menjëherë efektivë të Policisë së Shkodrës, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë. Nga veprimet hetimore në vendngjarje, u pa se 36-vjeçari, i druhej një atentati, pasi në çantën e tij Policia gjeti një armë zjarri me fishekë në fole, gati për qitje.
Afro 10 vite më parë, Elis Rroshkodoli ishte arrestuar në Belgjikë si pjesë e një grupi kriminal që merrej me vjedhje e grabitje me dhunë. Ndërkohë në vitin 2023 kishte plagosur me thikë një person në Rumani. Pavarësisht këtyre ngjarjeve 36-vjecari nuk rezultonte person me precedent penal në Shkodër ndërsa pista kryesore ku u përqendruan hetimet ishte ajo e prishjes së pazareve mes grupeve kriminale.
Më 6 shtator 2024, Policia tha se zbardhi ngjarjen duke vënë në pranga një person. Policia më parë kishte shoqëruar disa persona, të cilët kishin dhënë detaje në lidhje me atentatin, duke ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes. Personi që u arrestua me dyshimet se ishte i përfshirë në vrasje, ishte Xhulio Malo, 26 vjeç, i cili sipas Policisë ka siguruar kushtet dhe mjetet e duhura për të kryer vrasjen e Rroshkodolit.
Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë organizuar vrasjen e 36-vjeçarit. Gjatë hetimeve u zbulua në Tiranë një garazh, ku këta 4 shtetas mbanin automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës, të cilat dyshohet se janë siguruar për të shërbyer gjatë kryerjes së krimeve të rënda kundër personit. Po ashtu janë gjetur 3 automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës dhe pjesë të automjetit të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së Rroshkodolit.
30 Tetor 2024
Pasditen e 30 tetorit, Shkodra, por jo vetëm, u trondit nga një ngjarje e rëndë kriminale, që shkaktoi 4 viktima. Një makinë tip “Benz” me xhama të zinj, e drejtuar nga Hamza Lici, me pasagjer Arlind Bushatin, që udhëtonte drejt rrugës nacionale Shkodër-Koplik, në lagjen Dobraç, u sharrua nga plumbat. Nga pas, i ndiqte një fuoristradë “Land Rover”, ku mendohet se ndodheshin 3 persona. Sapo u ndodhën paralelisht, nga fuoristrada drejt makinës që drejtohej nga 23-vjecari Lici nisi një breshëri kallashnikovi.
Të shtënat vijuan pa u ndalur përgjatë 300 metrave në ecje e sipër derisa shoferi humbi vetëdijen dhe makina u përplas në gjendje të lirë te muri rrethues i një objekti. Hamza Lici, djali i vogël i familjes Lici ndërroi jetë në vend. Pak orë më vonë, humbi jetën në spital edhe miku i tij, 32-vjeçari Arlind Bushati.
Atentati ishte i pamëshirshëm, me objektiv të qartë, eliminimin fizik të personave që ishin në makinën “Benz”. Drejtuesi i “Land Rover”-it dhe dy qitësit nuk morën parasysh as qytetarët e rastësishëm në vendngjarje. Të gjendur në vendin dhe kohën e gabuar, çifti Bashkim dhe Flutura Basha, që po udhëtonin në atë moment me motor, humbën jetën në atë ngjarje. Automjeti që drejtonte Hamza Lici, humbi kontrollin pas breshërisë së plumbave dhe përplasi motorin e çiftit Basha. Flutura humbi jetën në vend, ndërsa Bashkimi u plagos rëndë në kokë, duke ndërruar jetë më vonë në spitalin e Shkodrës. Ata ishin viktima të pafajshme që nuk kishin asnjë lodhje me atentatorët dhe objektivin e tyre.
Dosja e ngjarjes që mori emrin Masakra e Dobraçit, fillimisht u hetua nga Prokuroria e Shkodrës, por më 11 shtator, organi i akuzës atje shpalli moskompetencë dhe çështja tashmë është në duart e SPAK, pasi ka dyshime se vrasja e 4-fishtë është vepër e një grupi të strukturuar kriminal.
Objektiv i atentatit dyshohet se ishin dy nga viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, por edhe një person tjetër që mendohet se udhëtonte me ta në makinë dhe që dita ditës pas hetimeve ka dyshime të ketë qenë Ibrahim Lici. Prezenca e tij në automjet nisi të diskutohej pas pamjeve që u publikuan në media, ku një person i gjakosur shihej pranë trupit të pajetë të Hamza Licit. Burimet konfirmuan se ky person ishte pikërisht Ibrahim Lici, i cili kishte pak kohë që ishte kthyer ilegalisht në Shqipëri. Ai supozohej të ishte në Turqi, nën masën e “arrestit të shtëpisë”, ku ishte në pritje të ekstradimit, duke qenë person i kërkuar nga drejtësia shqiptare. Megjithatë, as efektivët e Shqiponjave që ndodheshin shumë pranë tij në vendngjarje, nuk arritën të vepronin. Veprim që në fakt u kushtoi prangat 4 efektivëve, të cilët më vonë u liruan nga Gjykata.
Disa javë pas atentatit, kur dosja ishte në duart e SPAK, prokurorët e Posaçëm, i kërkuan Gjykatës leje për të ushtruar kontroll në zonën e “Dobraçit”, ku jetojnë anëtarët e fisit Bajri, të njohur për hasmërinë me familjen Lici. Një operacion i nisur në orët e para të mëngjesit të datës 12 dhjetor 2024, solli rrethimin e Shkodrës nga forcat speciale RENEA, që kryen veprime në zbatim të urdhrit të SPAK. Kontrolle u kryen edhe në Kiras, ku jeton familja Lici, por edhe në disa zona përreth. Megjithatë operacioni u mbyll me sekuestrimin e 5 automjeteve, një e blinduar me targa ruse, si dhe një shumë parash e disa telefona. Safet Bajri u shoqërua dhe u la i lirë pak më vonë e po ashtu edhe disa persona të tjerë. Ndërsa askush nuk ra në gjurmët e Ibrahim Licit. Megjithëse burimet thonë se shumë shpejt do të ketë emra konkret personash të akuzuar për “Masakrën e Dobraçit”, viti 2024 u mbyll pa ndonjë të arrestuar.
13 Nëntor 2024
Më datë 13 nëntor 2024, rreth orës 22:40, është marrë njoftim nga salla operative se në rrugën “Faik Konica”, në Tiranë, është konstatuar i shtrirë në tokë me dëmtime në kokë, shtetasi Eduart Mahmur Reçi, 52 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë. Ai është transportuar për marrjen e ndihmës së specializuar mjekësore në Spitalin e Traumës.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, është krijuar grupi hetimor, i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore, ekspertë kriminalistë dhe nga kryerja e veprimeve paraprake hetimore si: këqyrja e vendit të ngjarjes, administrimi dhe këqyrja paraprake e kamerave të sigurisë, marrja e të dhënave nga personat që kanë dijeni për rrethanat e hetimit. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se, në momentin e ngjarjes, Eduart Reçi ka qenë duke qëndruar i vetëm në sheshpushimin e disa pallateve të ndërtuara prej tij, pas një lokali dhe përballë një lokali tjetër. Në këtë moment, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, në distancë, një herë të vetme dhe si pasojë e të shtënës Eduart Reçi ka marrë një plagë në kokë, duke u plagosur rëndë.
I plagosuri është konstatuar i shtrirë në tokë përpara pallatit që ai ka ndërtuar në rrugën “Faik Konica” nga banorë të lagjes dhe bashkëshortja, të cilët kanë njoftuar shërbimin e urgjencës, që e kanë transportuar në Spitalin e Traumës në gjendje kritike për jetën. Pavarësisht ndihmës së specializuar mjekësore, i plagosuri ka ndërruar jetë disa orë më pas, më datë 14 nëntor 2024, në spital.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, i cili ndodhet në sheshpushimin e hyrjes së pallatit, në pjesën e pasme të një lokali, janë gjetur, fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dy atlete, 2 tamponë steril, 2 bidona plastik uji, 2 flakadanë të mbështjellë me natriban, 2 flakadanë me përmasa pak më të mëdha dhe një flakadan tjetër në formë cilindrike.
Gjatë rikëqyrjes së vendit të ngjarjes, në dyshemenë e oborrit, në distancë dy metra nga ana verilindore, disa metra nga tenda dhe gardhi në pjesën e brendshme të një supermarketi, është gjetur, fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një copë metali e deformuar, me ngjyrë gri të errët, si ajo e plumbit me përmasat 1 me 0.6 centimetër.
Nga administrimi dhe këqyrja paraprake e kamerave të sigurisë, të marra nga një subjekt privat në vendin e ngjarjes, rezulton se më datë 13 nëntor, në orën 22:39, Eduart Reçi ka qenë duke lëvizur në këmbë në sheshpushimin përpara pallatit të tij dhe nga audio e videos dëgjohet një e shtënë si ajo e armëve të zjarrit dhe në këtë moment Eduart Reçi rrëzohet në tokë. Paraprakisht, nga këqyrja e pamjeve filmike, nuk konstatohet që pranë viktimës të afrohet ndonjë autor i dyshuar, çka ngre dyshimin që qitja në drejtim të viktimës është realizuar në distancë. Referuar këqyrjes së vendit të ngjarjes, këqyrjes së kufomës, pamjeve filmike, pozicionit të viktimës në momentin e rrëzimit në tokë, dëmtimeve në kokë, dëmtimit të tendës së supermarketit, etj., mendimit paraprak të ekspertëve kriminalistë mbi drejtimin e qitjes, rezulton se autori mund të ketë qenë pozicionuar në kafazin e katit të dytë të shkallëve metalike të emergjencës në pjesë e pasme të një hoteli.
Ervin Hodaj
Dua të them që para disa ditësh ndodhi një ngjarje e rëndë në Tiranë, e cila në fillim u duk si një ngjarje shumë e vështirë për t’u zbuluar dhe në fakt ashtu ishte, si një ngjarje jo e zakonshme. Ngjarja pranë Faktultetit të Ekonomisë. Por me një angazhim të strukturave policore, të hetuesve dhe me një punë shumë strikte dhe rigoroze, u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes. Kështu që nuk është e pamundur, është shumë e mundshme që edhe ngjarje të tjera, në qytete të tjera, të zbardhen nga këto struktura.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi intensiv, arrestuan shtetasit Shkëlqim Dukaj, 48 vjeç, oficer Policie në Komisariatin nr.2 në Tiranë dhe vëllain e tij Florjan Dukaj, 45 vjeç, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
19 Nëntor 2024
Orët pas mesnatës në një fillim jave në Tiranë, zakonisht janë të qeta. Sidomos pasi ka ndodhur një krim i mëparshëm, që ka tronditur opinionin publik. Ashtu sikurse ishte vrasja me thikë e 14-vjeçarit Martin Cani, nga bashkëmoshatari i tij, të dy nxënës të shkollës “Fan Noli”.
Kur të gjithë ishin të shokuar nga krimi i rëndë i 18 nëntorit, në qendër të Tiranës, “mjegulla” që çorganizoi disi rendin, u përdor për një tjetër krim.
Pas një të hënë që shumë prej nesh e quajtëm tragjike, u duk se nata do të kalonte ashtu e qetë si në të hënat e zakonshme. Me rrugë thuajse të boshatisura, kur herë pas here shquhen fenelinat e Policisë e ndonjë sirenë ambulance.
Nga kryqëzimi i “Oxhakut”, në Tiranë, ku ndodhi ngjarja e deri tek vendi ku u dogj makina, na ndodh që të ndeshemi me të paktën 3 pika kontrolli të Policisë. Por në fakt nuk ndodhi kështu. Madje as ato postblloqe që shohim në netët e zakonshme, atë mbrëmje nuk ishin të pozicionuara. Ose të paktën nuk arritën dot të ndalonin makinën e atentatorëve që përshkoi 9 kilometra, duke u gjetur e djegur tërësisht pranë liqenit të Farkës.
Pesë të shtëna “të mbytura” për shkak të silenciatorit, i morën jetën një 28-vjeçari. Viktima është Klaudio Prendi. Ai është djali i një gjyqtari. E si i tillë, shoqëria për të mbase priste të shkonte në hapat e të atit, apo të ishte në mesin e ajkës së intelektualëve të shoqërisë. Por kjo duket se nuk ishte e thënë.
Mes një të shkuare me dritëhije dhe karrierës së babait të tij, ish-gjyqtarit Fran Prendi, 28-vjeçari u ekzekutua në një atentat tipik mafioz pak pas mesnate, kur sa kishte hyrë e marta e 19 nëntorit.
Pikëpyetjet janë të shumta. Ndërsa pistat hetimore janë të gjitha të hapura. Grupi hetimor po gërmon sa në jetën e të riut, ashtu edhe në detyrën që kishte pasur i atij si gjyqtar, deri 4 vite më parë që u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë.
Policia dhe Prokuroria nuk përjashtojnë asnjë mundësi, qoftë vetë problemet që mund të ketë pasur vetë Klaudio Prendi, apo edhe vendimet që mund të ketë dhënë babai i tij gjatë gjithë karrierës si gjyqtar.
Por si ndodhi ngjarja?
Klaudio Prendi, apo siç njihej ndryshe me emrin Klajdi, deri pak para mesnate ka qenë në shoqërinë e disa miqve të tij, në një bar në rrugën “Xhanfize Keko”, pranë kryqëzimit të “Oxhakut”, në Tiranë. Makinën e tij, një “Mercedez G Class”, e kishte parkuar para lokalit, aty ku ndodhet stacioni i urbanit të Porcelanit. Pasi është ndarë nga miqtë, ka dalë i vetëm nga lokali dhe është drejtuar për të hipur në makinë. Pikërisht në këtë moment ai është qëlluar 5 herë me një armë me silenciator. Atentatorët kanë qëlluar nga një automjet “Audi A4”, me targa greke të mbivendosura që vinte nga “Fresku” në drejtim të kryqëzimit ku ndodhi ngjarja.
I plagosur rëndë, me një plumb në kokë dhe një në gjoks, 28-vjeçari me origjinë nga Puka, është futur në mjetin e tij nga miqtë që kanë dalë nga lokali dhe e kanë transportuar drejt Spitalit të Traumës. Aty mjekët kanë bërë gjithçka, por për Klaudion nuk mund të bëhej më asgjë. Zemra e tij pushoi së rrahuri, në kohën që makina e atentatorëve po shkrumbohej nga flakët pranë liqenit të Farkës. Aty ku ata shkuan të pa shqetësuar dhe zhdukën çdo provë, bashkë me gjurmët e tyre.
Zona ku ndodhi krimi është me shumë biznese private, lokale e dyqane që janë të pajisura me sisteme kamerash sigurie, të cilat tashmë janë sekuestruar dhe po analizohen nga grupi hetimor. Në një prej kamerave, të vendosura në një biznes përballë vendngjarjes, duket qartë momenti i vrasjes. Në pamje shquhet makina e atentatorëve, që ka qenë në pritje për disa minuta. Siç duket autorët kanë pasur informacion për vendndodhjen e viktimës dhe e kanë pritur derisa ai ka dalë nga lokali. Në momentin që Klaudio Prendi del dhe hipën në makinë, automjeti “Audi A4”, siç shihet në pamjet e filmuara nga kamerat, vjen nga përballë viktimës dhe i afrohet paralel. Më pas njëri nga autorët, që ndodhet në sediljen e pasme të mjetit, qëllon të paktën 7 herë pa zbritur nga makina. Më pas “Audi” largohet me shpejtësi në drejtim të kryqëzimit që njihet si “Varri i Bamit”. Nga aty mendohet se më pas ka vijuar majtas dhe ka dalë në Unazën e Re, duke udhëtuar drejt liqenit të Farkës, ku edhe ku u gjet e djegur, bashkë me pistoletën me silenciator që u përdor për vrasjen. E siç ndodhë në vrasje të kësaj natyre, në vendin ku digjet makina, është patjetër dikush tjetër që i pret me një tjetër mjet, që i ndihmon autorët për t’u larguar.
Ndërkohë, në pamjet e kamerave të sigurisë duken edhe disa persona që i shkojnë në ndihmë Klaudio Prendit dhe me makinën e tij nisen drejt spitalit. Policia i ka identifikuar këta persona dhe u ka marrë deklarim në lidhje me ngjarjen, por pa arritur të mësojë diçka në lidhje me atentatorët. Ndërsa mësohet se në lidhje me këtë vrasje, ka nisur një verifikim edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nisur nga fakti se aty kanë qenë të pranishëm edhe 3 oficerë Policie.
Nuk është sqaruar ende nëse të tre oficerët kanë qenë në tavolinë me viktimën para se të ndodhte vrasja, apo thjeshtë ndodheshin në të njëjtat ambiente me ta. Megjithëse, persona të ndryshëm që janë marrë në pyetje, kanë dëshmuar se viktima ka qenë me 3 persona në tavolinë para se të dilte jashtë dhe se dyshohet që bëhet fjalë pikërisht për punonjësit e Policisë.
Vetë efektivët kanë dhënë dëshmitë e tyre për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policorë, duke treguar se e kanë takuar Klaudio Prendin, por takimi ka qenë i rastësishëm.
Si provë e këtij krimi të rëndë, përveç pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, janë administruar edhe makina e viktimës dhe e atentatorëve, ndonëse e djegur, si dhe pistoleta e kalibrit 9 milimetra me silenciator. Tashmë këto janë në duart e ekspertëve që po i analizojnë për të zbuluar sa më shumë elementë të vlefshëm për hetimin. Automjeti ku u qëllua Klaudio Prendi, një “Mercedes Benz G Class”, rezulton në emrin e një vajze 26-vjeçare, E. Cani dhe nga verifikimi në sistemin E-Gjoba, nuk figuron të ketë masa administrative.
1 Dhjetor 2024
Pasditja 1 dhjetorit, në restorantin e njohur në Ndroq, ishte disi më e zhurmshme se zakonisht. Duke qenë fundjavë, kishte edhe më shumë njerëz që drekonin. Madje kishte edhe një festë familjarë. Por në një moment, rreth orës 15:30, 5 të shtëna arme zjarri shkaktuan panik tek klientët. Disa u përkulën duke u fshehur pas tavolinave e të tjerë nxituan të dilnin jashtë.
Stafi panë një klient që u rrëzua në tokë dhe një tjetër që nxitoi të dilte jashtë. Kur u kuptua se në fakt dikush ishte vrarë aty, menjëherë u lajmërua Policia.
Alfred Dedja, 50 vjeç, një banor i Ndroqit, mbeti i vrarë pasditen e 1 dhjetorit.
Aty kishte shumë njerëz që e ndjenë veten të rrezikuar. Por duket se autori i vrasjes e kishte të qartë objektivin dhe askush tjetër nuk u dëmtua në atë ngjarje. Policia e identifikoi shumë shpejt të dyshuarin, një 26-vjeçar nga Shijaku. Ishte Julian Gjoshi, i cili sapo realizoi krimin, nxitoi të largohej me automjetin e tij “Mercedez ML”, duke lënë pas një të vrarë, por asnjë gëzhojë.
Grupi i ekspertëve përcaktoi se arma e zjarrit ka qenë një revolver, e cila nuk i nxjerr gëzhojat pas qitjes. Ai nuk e ka nxjerrë nga xhepi armën, duke e qëlluar nga brenda tij. Kjo e provuar jo vetëm nga dëshmitarët, por edhe nga kamerat e sigurisë.
Të dy, viktima dhe autori, që njiheshin me njëri-tjetrin, kishin shkuar për t’u takuar aty. Julian Gjoshi e kishte ftuar Alfred Dedjan për një sqarim dhe po e priste në restorant i armatosur. Sapo 50-vjeçari i është afruar, Gjoshi është ngritur në këmbë dhe pa shkëmbyer asnjë fjalë e ka qëlluar për vdekje. Por nga çfarë u zbulua në vendngjarje, edhe viktima nuk kishte shkuar i pambrojtur në atë takim, pasi ne brez iu gjet një pistoletë. Megjithatë, duke u gjendur në befasi, nuk pati mundësi që ta përdorte.
Një ditë pas ngjarjes, në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet e Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me ato të Durrësit dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, për lokalizimin dhe kapjen e autorit, është gjetur i braktisur në fshatin Shkallnur, automjeti me të cilin dyshohet se ka lëvizur autori i dyshuar i vrasjes.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë nuk kanë konstatuar ndonjë send të kundërligjshëm. Automjeti u transportua në ambientet e Policisë, ku po i nënshtrohet ekspertizës.
Ndërsa disa orë më vonë, i dyshuari, Julian Gjoshi u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës, ku edhe u bë ndalimi i tij, për veprën penale “vrasje me dashje”. Ai pranoi krimin, duke dhënë edhe një lloj shpjegimi për motivet që e shtynë drejt vrasjes, pavarësisht se grupi hetimor vijon t’i shohë me dyshim.
Në deklarimet që kishin dhënë në Polici, para se ai të arrestohej, familjarët e Gjoshin pretenduan se ai ka probleme psikologjike, të cilat i ka shfaqur pas kthimit nga Spanja. Fillimisht u duk se kjo po përdorej si një mundësi për të lehtësuar pozitat e tij penale, por pas arrestimit dhe intervistimit paraprak të tij, problemet psikologjike ishin të dukshme edhe për oficerët e Policisë. Megjithatë, ende nuk është kryer një ekzaminim për të pasur një raport zyrtar në lidhje me këtë.
Viti 2024 u mbyll me disa atentate të dështuara, duke dhënë edhe një sinjal për vitin 2025 që sapo ka nisur. Ngjarjet që nuk realizohen dot nga krimi, konsiderohen si vepra që mund të parandalohen në të ardhmen nga Policia. Megjithëse siç tregoi viti i kaluar, jo gjithmonë ndodh kështu. Krimi i organizuar ndodh që të mos dorëzohet derisa të realizojë objektivin, ashtu sikur ndodhi me Gentian Bejtjan në Larshukë të Krujës. Kur një vrasjeje i dihet motivi, porositësi dhe ekzekutori dhe askush nuk është në burg për të, çfarë mund të themi për ato vrasje, në dosjet e të cilave shkruhet vetëm emri i viktimës dhe numri i gëzhojave në vendin e ngjarjes!?
Ervin Hodaj
Pothuajse të gjitha vrasjet janë të vështira, përveç atyre që janë ngjarje brenda rrethit familjar, apo vrasje me dashje që janë aty për aty, të gjitha ngjarjet e kanë atë kompleksitetin e tyre për t’u zbuluar. Por këtë vit mendoj se ngjarje e vështirë është ngjarja e Shkodrës, ngjarja e Memaliajt, për të cilën po punohet shumë intensivisht për t’u zbuluar. Çdo ngjarje ka specifikën e vet dhe duke ndodhur në qarqe të ndryshme, sigurisht që çdo qark ka specifikën e vet, në mënyrën se si Policia, apo struktura të hetimit të krimeve i qasen kësaj ngjarjeje.
Tashmë gjithçka është në dorë të organeve ligjzbatuese. Sa do arrijë të veprojë, të zbardhë ato krime të pazbuluara, të arrestojë autorët por dhe të parandalojë krime të tjera. Të paktën ato ngjarje që nuk janë finalizuar në atentate të dështuara. Kur Policia bën një analizë të vitit që mbyll, gjithçka sillet rreth shifrave. Por ata që përmenden vetëm me numra, në fakt janë jetë njerëzish. Madje disa edhe të pafajshëm./abcnews.al