Pas Murit të Berlinit: Pse Evropa e ka pasur të vështirë të kapërcejë ndarjet e saj?

schedule12:19 - 13 Janar, 2022

schedule 12:19 - 13 Janar, 2022

Nga James McBride dhe Jeanne Park “Council of Foreign Relations

Shembja e Murit të Berlinit në vitin 1989 hodhi themelet për lindjen e institucioneve të reja, shteteve të reja, dhe në disa raste edhe konflikteve të reja. Në më shumë se 3 dekada që nga ribashkimi i Gjermanisë dhe rënia e Bashkimit Sovjetik, Bashkimi Evropian ka marrë një formë më të plotë,por ka përjetuar rrugës jo pak vështirësi.

Kontinentit i është dashur të përballet me krizat ekonomike, presionet e migracionit dhe nacionalizmin në rritje, si dhe me pasojat e vazhdueshme të pandemisë Covid-19. Burim tensioni kanë qenë jo rrallëherë edhe marrëdhëniet transatlantike, kur parimet thelbësore të marrëdhënies SHBA-BE janë vënë në pikëpyetje për shkak të ndarjeve të reja mbi politikat fiskale, energjinë dhe politikën e mbrojtjes.

Në dhjetorin e vitit 1991, Bashkimi Sovjetik u shpërbë në 15 republika të pavarura, nga të cilat më e madhja ishte Federata Ruse. Më 1 janar të vitit 1993, Çekosllovakia u nda në dy shtete të veçanta, Republikën Çeke dhe Sllovakinë, në një “Divorc të Kadifenjtë”.

Shpërbërja e Ish-Jugosllavisë në vitin 1991 shkaktoi një dekadë lufte, që degradoi në spastrim etnik dhe gjenocid. Në fund Bosnja, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Sllovenia do të bëheshin shtete të pavarura.

Federata Ruse e sapokrijuar pati presidentin e saj të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike, Boris Jeltsin, që nisi menjëherë zbatimin e reformave të orientuara nga tregu:heqjen e barrierave tregtare, nga kontrolli i çmimeve tek subvencionet shtetërore. Por kjo formë e terapisë së shokut shkaktoi një periudhë të inflacioni të lartë që i shkatërroi kursimet e miliona rusëve të zakonshëm dhe që e shtoi normën e varfërisë.

Në vitin 1998, Rusia nuk ishte më në gjendje të paguante borxhin e saj dhe për pasojë ekonomia hyri në kolaps. E kombinuar me korrupsionin e shfrenuar, rritjen e krimit të organizuar dhe pabarazinë e të ardhurave, ajo situatë ishte një pengesë e madhe për demokracinë ruse, dhe krijoi terrenin e favorshëm për shfaqjen në skenë të Vladimir Putinit në vitin 1999.

I zgjedhur për herë të parë president në vitin 2000, ai do të vazhdonte të dominonte politikën e vendit për dekada. Rënia e Murit të Berlinit dhe e Bashkimit Sovjetik, e përshpejtuan shtysën për një integrim më të thellë evropian, dhe Traktati i Lisbonës i vitit 2007 krijoi strukturën aktuale të BE-së.

Njëzet e shtatë shtetet anëtare ranë dakord të bashkonin sovranitetin e tyre, dhe t’i delegonin shumë kompetenca vendimmarrëse në BE. Mes ndryshimeve të tjera, traktatet krijuan një zonë të lëvizjes pa pasaporta, të njohur si Zona Shengen. Lëvizja e lirë e njerëzve është një nga “4 liritë e bllokut, së bashku me atë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.

Ribashkimi i Gjermanisë i hapi rrugën anëtarësimit në BE të vendeve të ish-Bllokut Lindor. Gjatë viteve 2004-2007, unioni u zgjerua nga 15 në 27 vende anëtare. Shumë politikë-bërës shpresonin se kjo do të përmbushte një vizion të një Evrope të bashkuar “të plotë dhe të lirë”, siç u artikulua për herë të parë në vitin 1989 nga presidenti i SHBA-së, George H.W Bush.

Por që atëherë, zgjerimi është ngadalësuar pasi blloku është përballur me krizat ekonomike, presionet e migracionit dhe nacionalizmin në rritje. Kroacia ka qenë hyrja e vetme që nga viti 2013. Kandidatura e Turqisë, që ka qenë shpesh e diskutueshme për shkak të shqetësimeve mbi madhësinë e vendit, historikun e respektimit të të drejtave të njeriut dhe stabilitetin e ekonomisë së saj, ka ngrirë për shkak të rritjes së autoritarizmit të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Përpjekjet e mëtejshme për zgjerim, të përqendruara kryesisht në Ballkan, janë bllokuar për shkak të kundërshtimit të Francës dhe Bullgarisë ndaj kandidaturave të Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut. Vitin e kaluar, shtetet e BE-së rikonfirmuan angazhimin e tyre për t’i mirëpritur 6 anëtarët te rinj të Ballkanit Perëndimor, por afati kohor se kur do të ndodhë kjo mbetet i paqartë.

Rënia e komunizmit ngriti pyetje ekzistenciale edhe mbi NATO-n, aleancën e themeluar në vitin 1949 për të mbrojtur Evropën nga pushtimi sovjetik. Pavarësisht protestës nga Rusia dhe hezitimit nga disa vende të Evropës Perëndimore, Shtetet e Bashkuara e mbrojtën zgjerimin e NATO-s pas Luftës së Ftohtë, si një mënyrë për të konsoliduar arritjet demokratike në Evropën Lindore.

Dhe që nga viti 2014, ekspansionizmi rus i ka bërë udhëheqësit e NATO-s të përqendrohen mbi rritjen e gatishmërisë ushtarake në kufijtë lindorë të aleancës. Njëherazi Uashingtoni i ka shtuar kritikat ndaj Evropës, se kjo e fundit nuk shpenzon mjaftueshëm për mbrojtjen e saj.

Pas presidencës problematike Trump në raport me marrëdhëniet transatlantike, presidenti aktual Joe Biden është zotuar të ri-angazhojë Shtetet e Bashkuara në NATO. Por tërheqja e tij nga Afganistani vitin e kaluar shqetësoi shumë nga aleatë evropianë të Amerikës, dhe bëri që zyrtarët e lartë të BE-së të kërkojnë përshpejtimin e planeve për ngritjen e një ushtrie të pavarur të BE-së.

Ndërkohë,Evropa ka hasur prej kohësh shumë vështirësi mbi mënyrën se si t’i integrojë banorët e saj myslimanë, shumë prej të cilëve kanë ardhur nga ish-kolonitë, në rastin e afrikano-veriorëve, apo si punëtorë në rastin e emigrantëve turq në Gjermani.

Disa ekspertë kanë paralajmëruar shfaqjen e “shoqërive paralele”, ndërsa të tjerë kanë argumentuar se nevojiten më shumë emigrantë për të mbështetur popullsinë e Evropës që po plaket me shpejtësi.

Dhe kjo çështje është bërë më akute që nga viti 2015, kur Evropa ka përjetuar një shtim dramatik të fluksit të emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Miliona emigrantë kanë ndërmarrë udhëtime të rrezikshme në tokë apo përmes Detit Mesdhe për t’i ikur luftës dhe varfërisë në vendin e tyre.

Mungesa e një përgjigje të përbashkuar ndaj kësaj krize i ka thelluar tensione ekzistuese në bllok, teksa vende si Greqia dhe Italia po presin pjesën më të madhe të të ardhurve, ndërsa vende si Hungaria dhe Polonia, refuzojë që ta ndajnë këtë barrë në mënyrë proporcionale.

Nga ana tjetër, vizioni themeltar i BE-së mbi unitetin, integrimin rajonal dhe bashkëpunimin ndërkufitar, ka qenë nën një presion gjithnjë e në rritje nga forcat politike euroskeptike. Partitë populiste janë forcuar ndjeshëm në shumë vende anëtare të BE-së, sidomos në Itali dhe Francë.

Këto tendenca kanë marrë ndoshta formën e tyre më dramatike në Britani, ku një qasje e vjetër me 2 standarte ndaj integrimit evropian, e kombinuar me ankthin në rritje ndaj emigracionit dhe terrorizmit, solli vendimin e vitit 2016 të shumicës së britanikëve për t’u larguar nga BE.

Marrëdhëniet e pas Luftës së Ftohtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës kanë përjetuar ulje dhe ngritje. Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, kontinenti u tregua shumë solidar:NATO përdori klauzolën e saj të vetëmbrojtjes kolektive, Nenin 5, dhe për herë të parë edhe aleatët evropianë e mbështetën luftën e SHBA-së në Afganistan.

Por pushtimi i mëvonshëm i Irakut nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2003, të cilin fuqitë evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, e panë si të paligjshme, i tendosi shumë këto raporte, gati në pikën e prishjes. Marrëdhëniet u përmirësuan disi nën presidentin Barack Obama, por Trump ndoqi një qasje konfrontuese.

Përveç qortimit të aleatëve të NATO-s, ai synoi të kishte marrëdhënie më të ngrohta me Putinin dhe rriti tarifat ndaj kompanive evropiane. Joe Biden ka premtuar angazhim të ripërtërirë ndaj marrëdhënieve transatlantike. Por përveç tërheqjes së pa konsultuar nga Afganistani, mes SHBA-së dhe BE-së ka ende shumë burime të tjera të tensionit si përfshirë pikëpamjet e ndryshme mbi furnizimet ruse të energjisë, investimet kineze në industritë kritike, si dhe rregullimin dhe taksimin e kompanive të mëdha të teknologjisë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Marrë me shkurtime