Pas Kryeministrisë shkuan te Parlamenti, por askush nga deputetët nuk u ndal ti dëgjonte. Banorët e fshatit Bërxullë të Vorës u mblodhën pak para se të niste seance plenare dhe qendruan për rreth 2 orë.
Kundërshtuan zbatimin e projektit të aksit Thumanë-Kashar që prek tokat dhe banesat e tyre.
“Iu them deputetëve të dëgjojnë hallet tona. Asnjë prej tyre s’ka ardhur të na takojë. Këtë pronë në mënyrë të paligjshme pa marrëveshje nuk e lëshojmë.”
“Fadromat po na vijnë edhe natën edhe ditën dhe në Bërxullë kërkojmë transparencë çmimi”.
“Sot erdhëm këtu në Parlament sepse janë 140 deputetë, të cilët votojnë ato ligjet ku vetë I shkelin me këmbë. Në këtë pjesën e këtij koncesioni janë të implikuar të dy krahët”.
Kërkojnë transparencë, ndërsa kanë tre kushte. Më e rëndësishmja shpronësimi i tokës me çmimin e tregut.
“E para është vlera e pronës, e dyta certifikimi i të gjitha banesave dhe treta është projekti i rrugës sesi do të zhvillohet”.
Banorët protestojnë prej më shumë se muaji dhe paralajmërojnë përshkallëzim nëse nuk gjejnë zgjidhje.
Segmenti Thumanë-Kashar është pjesë e autostradës Milot-Fier. Aksi prej 114 kilometrash është gjithashtu pjesë e Korridorit Blu që lidh Shqipërinë me Kroacinë në veri dhe Greqinë në jug.
/abcnews.al/


