Pas Konferencës së Mynihut, shtohet presioni mbi Prishtinën dhe Beogradin

schedule20:42 - 18 Shkurt, 2019

schedule 20:42 - 18 Shkurt, 2019

Pas përfundimit të konferencës së Mynihut, rritet presioni nderkombetar mbi Prishtinën dhe Beogradin për rinisjen e dialogut, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në Mynih të Gjermanisë ka përfunduar Konferenca për çështje të sigurisë në të cilën morën pjesë mbi 30 shefa të shteteve dhe qeverive, rreth 80 ministra të Jashtëm e të Mbrojtjes, 600 ekspertë për politikën e sigurisë. Një ndër çështjet e trajtura gjatë këtij takimi ishte edhe debati i nxehtë mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Duke marrë parasysh deklarimin aktualisht verbal të të dyja palëve për një marrëveshje, konkrete, vëzhguesit thonë se kjo mund të bëhet realitet vetëm me një rol më në rritje të faktorit ndërkombëtar.
E thirrur si një takim ku shpalosen e testohen idetë, ku mund të ngritet aleanca e të bihet dakord për të nisur apo për të çuar përpara proceset e paqes. Konferenca e Mynihut, për të cilën vendi organizator – Gjermania, tha se është më e madhja e më e rëndësishmja për pesëdhjetë vitet e fundit, sikur tregoi atë dritën në fund të tunelit, kur është fjala për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkanin Perendimor. Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, bën thirrje që Kosova e Serbia të ndjekin rrugën e Maqedonisë e të Greqisë:
“Prej vitesh po flasim se ne na rëndojnë tre probleme të mëdha që janë bartur nga koha e krizës në hapësirën e Jugosllavisë së dikurshme dhe sot mund të themi me kënaqësi se njëri prej këtyre problemeve është zgjidhur falë vullnetit të mirë politik në Shkup dhe Athinë. Na mbeten dy problem, pra jofunksionaliteti i Bosnjës dhe ngecja në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”,- ka deklaruar Presidenti malazez, ndërkohë që homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç, ka pranuar se kryefjalë e takimeve të tij, të vështira – ka thënë ai, është arritja e marrëveshjes. “E jona është të kuptojmë interesat shqiptare, por para së gjithash të luftojmë për interesat serbe”, – është shprehur Vuçiç në Konferencën e Mynihut, duke pranuar se të dyja palët janë në ofensivë diplomatike për të krijuar sa më shumë mbështetës:
“Unë mendoj se mbrëmë, pas atyre takimeve dhe paneleve të vështira, deri në dhjetë të mbrëmjes, njeriut i duhej pak të bie e të shtrihet në gjum dhe asgjë të mos bëj. Beteja është e vështirë. Ata kanë bërë punën e vet. Sollën 50-100 njerëz këtu që të lobojnë për ta. Investojnë shumë para. Ata janë shumë më të varfër se ne, por për këtë investojnë shumë më tepër para”.
Edhe ai, si dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë lënë të kuptohet se shpresojnë që muajt e ardhshëm, të dyja palët do mund të gjejnë gjuhë të përbashkët:
Sidoqoftë, burime diplomatike nga Brukseli, por edhe Uashingtoni, thonë se ditët në vazhdim, pritet që Prishtina e Beogradi, nën presion ndërkombëtar, të zbusin retorikën dhe qëndrimet kushtëzuese të tyre me qëllim që më në fund të ulen pranë tryezës negociatore. Përgatiti :Seladin Xhezairi Montazhi: Qemal Aliu

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!