Pas Joe Biden, zbulohen dokumente të klasifikuara në shtëpinë e zv.presidentit Mike Pence

schedule08:20 - 25 Janar, 2023

schedule 08:20 - 25 Janar, 2023

Javën e kaluar  në shtëpinë e ish-zëvendëspresidentit Mike Pence në Indiana janë gjetur dokumente të klasifikuara. Lajmi është bërë i ditur nga mediat amerikane sipas një letre që avokatët e zotit Pence i dërguan Arkivave Kombëtare.

Departamenti i Drejtësisë dhe FBI kanë nisur një hetim për të konstatuar se si dokumentat e  klasifikuara përfunduan në shtëpinë Pence. Kjo është gjetja e fundit në një varg zbulimesh në rezidenca private të dokumeteve sekrete.

“Duket të jenë një numër i vogël dokumentash, që mbajnë shenjat si të klasifikuara, që janë paketuar dhe transportuar pa dashje në shtëpinë private të ish-zëvendëspresidentit në fund të mandatit”, tha avokati i Pence, Greg Jacob.

Sipas tij,  Pence “angazhoi një avokat të jashtëm, me përvojë në trajtimin e dokumenteve të klasifikuara, për të shqyrtuar të dhënat e ruajtura në shtëpinë e tij pasi u bë publike se ishin gjetur dokumente sekrete në shtëpinë private të Presidentit Joe Biden në Wilmington”.

Avokati i Pence shprehej në letër se ish-zëvendëspresidenti “nuk ishte në dijeni të ekzistencës së dokumenteve sensitive apo të klasifikuara në shtëpinë e tij” dhe se “e kupton rëndësinë e madhe për mbrojtjen e të dhënave sensitive dhe të klasifikuara dhe se është i gatshëm për të bashkëpunuar plotësisht me Arkivat Kombëtare dhe çdo hetim të nevojshëm”.

Avokati tha se  Pence i siguroi menjëherë dokumentet që u zbuluan në një kasafortë. Sipas një letre të dytë nga avokati, që mban datën 22 janar, agjentët e FBI-së vizituan rezidencën e zotit Pence për të marrë dokumentet.

Departamenti i Drejtësisë tashmë ka angazhuar prokurorë të posaçëm për të hetuar gjetjen e dokumenteve sekrete në rezidencën e ish-Presidentit Donald Trump në Florida dhe në shtëpinë dhe ish-zyrën e Presidentit Biden.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!