Pas infektimit të të burgosurve në burgun e Drenovës, shtohen masat anti-covid

schedule13:13 - 9 Shtator, 2020

schedule 13:13 - 9 Shtator, 2020

Pas infektimit të 10 të burgosurve në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës janë shtuar masat për ndalimin e përhapjes së infeksionit.

Në ambientet në hyrje të burgut janë vendosur tunele dezinfektimi ndërsa matet temperatura e të gjithë personave që vizitojnë këto ambiente.

Ata kanë të detyrueshme mbajtjen e maskave dhe dorezave.

Një prej familjarëve pranë burgut u shpreh për ABC News se gjatë kësaj kohe kanë folur me të afërmit e tyre përmes skype-it ndërkohë që i janë nënshtruar kontrollit të rreptësisht gjatë dërgimit të ushqimeve për të afërmit e tyre.

“Kam folur vetëm në skype, nuk e kam parë. Ndërsa këtu na kanë kontrolluar rreptësisht, na është matur temperatura dhe kemi hyrë me doreza dhe maskë”, thotë një prej tyre.

LEXO edhe: EKSKLUZIVE/ Vazhdon përhapja e Covid, zbardhet mënyra si u infektua “burgu i sigurisë së lartë” në Drenovë

Ata thonë se kanë besim tek autoritetet shëndetësore dhe të burgut pasi kanë bërë të mundur marrjen e masave të menjëhershme ndërsa shprehen se nuk kanë frikë për të afërmin.

“Frikë kemi por derisa janë marrë masat jam i bindur për sigurinë. Tani vetëm çojmë ushqimet dhe pastaj flasim në skype me të afërmit. Masat janë marrë, janë dezinfektuar, masin temperaturën, mbajnë maska dhe doreza”, tha një tjetër.

Burgu i Sigurisë së Lartë në Drenovë të Korçës është kthyer në vatër të rrezikshme infeksioni për koronavirusin.

Mësohet se infektimi i të burgosurve është bërë nga personat që janë arrestuar dhe janë burgosur ditët e fundit.

Sakaq, ditën e djeshme janë kryer teste tek të gjithë të burgosurit brenda sektorit ku u shfaqen rastet e para.

N.D./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!