Pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, Basha takon Kryemadhin e Mediun

schedule14:45 - 16 Gusht, 2019

schedule 14:45 - 16 Gusht, 2019

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha zhvilloi takime me aleatët e tij të LSI dhe PR pas dorëheqjes së kryebashkiakut të Shkodrës, Valdrin Pjetri. Basha priti në një takim në selinë blu, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi ndërkohë që një tjetër takim kryedemokrati ka zhvilluar edhe me republikanin Fatmir Mediu. Pas takimit 30 minutësh me Kryemadhin, Basha deklaroi se nuk ka asgjë për të thënë, ndërkohë që PD paralajmëron se do të ketë denoncime të reja për kryebashkiakë socialistë.

Largimi me dorëheqje i kandidatit socialist të Shkodrës, Valdrin Pjetri pas denoncimeve të Partisë Demokratike në selinë blu shihet si fitore, por beteja pritet të vazhdojë. Kryedemokrati ka nisur lëvizjet e para me aleatët në koalicionin opozitar, për të unifikuar qëndrimin që do të mbajnë në lidhje Shkodrën dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 13 Tetorit ku janë regjistruar vetëm tre parti. Mëngjesin e të premtes, Lulzim Basha priti në një takim aleaten e LSI-së, Monika Kryemadhi. Por pas 30 minutash takimi, as njëri dhe as tjetri nuk dhanë  sqarime si do të vijojë aksioni opozitar dhe se çfarë do të ndodh me Shkodrën.

Një tjetër takim larg vëmendjes së mediave, Lulzim Basha e ka zhvilluar edhe me kreun e republikanëve, Fatmir Mediu. Ky i fundit pas zgjedhjeve vendore ka qenë jo pak kritikë ndaj vendimeve të kryedemokratit dhe i ka bërë thirrje publikisht të regjistrohet në zgjedhjet e 13 Tetorit. Takimet me aleatët e tjerë në koalicion, Lulzim Basha pritet të zhvillojë në ditët në vijim, ndërkohë që PD do të jetë e fokusuar te lista e zezë e 17 kryebashkiakëve. Burime nga selia blu sqarojnë se një tjetër kryebashkiak me të shkuar kriminale do të denoncohet publikisht./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!