Partnerët e Merkel nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për emigracionin

23:00 | 03/07/201823:000

Aleatët e kancelares Merkel në koalicion bashkëqeverisës në Gjermani nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët lidhur me planin për emigracionin. Sipas socialdemokratëve, duhet ende kohë për të konvertuar propozimet konservatore për emigracionin në një paketë ligjesh të arsyeshme.

Politika për emigracionin e zgjedhur nga Angela Merkel për të shpëtuar koalicionin qeverisës ka shkaktuar skepticizëm në radhët e partnerëve të saj, të cilët kanë kërkuar më shumë bisedime.

Kancelares gjermane i nevojitet si mbështetja nga partnerët e rinj, ashtu edhe ajo nga vendet anëtare të BE-së nëse dëshiron që plani i saj për të kufizuar numrin e azilkërkuesve të ketë sukses.

Por liderët e tre partive që bëjnë pjesë në aleancën e saj dështuan të binin dakord me të në një takim të mbajtur pasditen e së martës, që zgjati dy orë e gjysmë.

“Ne bëmë progres, por nuk arritëm të gjejmë gjuhën e përbashkët”, deklaroi Andrea Nahles, kryetar i Social-Demokratëve.

Olaf Scholz, zëvendës kancelar dhe ministër i Financave nga e njëjta parti, tha se duhet ende shumë kohë për të konvertuar propozimet konservatore për emigracionin në një paketë ligjesh të arsyeshme.

Të hënën, CDU-ja e Merkel dhe aleatët bavarezë të Unionit Kristian Socialist ranë dakord për të ngritur qendra tranziti në kufirin me Austrinë, ku ndodhen emigrantë të regjistruar në vendet e tjera, me qëllim kthimin e tyre mbrapsht.

Pakti u duk se shpëtoi koalicionin qeverisës nga rrëzimi, por një sondazh i publikuar të martën ka treguar se shumica e gjermanëve nuk bien dakord me të. Edhe social-demokratët, të cilët refuzuan një plan të tillë tre vjet më parë, nuk shprehën menjëherë konsensusin e tyre. Pa harruar se janë edhe vendet e BE-së që duhet të pranojnë të marrin emigrantët e larguar drejt Gjermanisë./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono