Bruno Telushi është një nga pikat më të forta të Partizanit. Vlonjati është një “luftëtar” në fushën e blertë dhe ka një raport shumë të mirë me golin. Në një prononcim për RTSH Sport, 29-vjeçari prek disa tema, duke filluar nga sezoni aktual, trajnerët, largimi i Trashit dhe tifozeria e kuqe.
ECURIA – “Kemi bërë mirë javët e fundit. Ndoshta na dhanë pak ndihmë ato ndeshjet me Gjirokastrën dhe Flamurtarin, të shikojmë në vazhdim tani. Kjo javë është shumë domethënëse për ne, duhet të japim maksimumin”.
STADIUMI – “Air Albania ka qenë një stadium ters për ne, por shpresoj që këtë herë të japim maksimumin dhe ta thyejmë këtë gjë. Ky vit ka qenë shumë i vështirë, sepse nuk kemi pasur ato rezultate që ne vërtetë prisnim nga fillimi i sezonit. Një lideri apo disa liderave të ekipit, u bie gjithë ngarkesa e këtyre ndeshjeve negative, i marrim ne përsipër dhe normalisht nuk ndihem fare mirë”.
LERDA-SORMANI – “Me të dy trajnerët kam pasur marrëdhënie të mirë. Por, do zgjidhja Sormanin nga pjesa e punës që bën për ekipin dhe nga përkushtimin që ka për të”.
GEGA – “Mbetet trajneri kampion te ne. Ai erdhi në ekip, mori përsipër shumë gjëra dhe ia doli mbanë deri në fund të arrijë titullin kampion. Kjo nuk është e lehtë për një trajner, sidomos këtu te Partizani ku titulli mungonte prej shumë vitesh. Ndeshja më e keqe? Ndeshja e derbit këtë vit, humbja 5-1, është një ndeshje që nuk e meritonim atë lloj rezultati”.
TRASHI – “Marrëdhënie më të mirë kam me Trashin dhe Bitrin, por me Trashin harxhoj më shumë kohë. Për largimin e tij u ndjeva si të largohesha vetë. Trashin e kam shumë shok të mirë dhe kalojmë si vëllezër. M’u bë shumë qejfi për atë transferim. I thoja gjithmonë që: duro se do të sjellë diçka fati për të dalë jashtë Shqipërie. Kohët e fundit sikur i kishte humbur ato shpresat dhe i thoja të duronte dhe të kishte besim. Trashi do i mungojë Partizanit në krahun e majtë, sepse ka shumë vite aty dhe të gjithë e dimë çfarë jepte në fushë. Do jetë si bosh ai krahu i majtë. Por mendoj që numri 19 të hiqet te Partizani deri në momentin që ai vendos të kthehet prapë për të mbyllur karrierën”.
ZGJEDHJA – “Partizani apo Shkëndija? Pa e menduar fare do zgjidhja Partizanin. Kam pasur kontakte nga Shkëndija, por dua që t’i qëndroj deri në fund Partizanit, pasi nuk dua të më hallakatet mendja në këto ndeshje”.
TIFOZËT – “Të humbësh në derbi nuk është se humb thjesht në fushë, por edhe jashtë saj. Tifozët e vuajnë më shumë, sepse futbollistët te Partizani mund të luajnë një vit, dy vjet, por tifozeria mbetet me Partizanin tërë kohën. Për këtë të vjen më shumë keq pas ndeshjeve. Më vjen mirë që i jam futur në zemër tifozëve të Partizanit, sepse kjo është shumë e rëndësishme për një futbollist. Ndihem shumë mirë që ata më vlerësojnë”.
PENGU – “Do kërkoja të largohesha më shpejt nga Vlora në momentin që kam pasur oferta, pasi kam pasur shumë oferta edhe nga jashtë. Nuk e di çfarë më ka bërë të qëndroj aty”. /abcnews.al