Partizani pritet të bëjë biznes në Itali

schedule13:58 - 21 Janar, 2019

schedule 13:58 - 21 Janar, 2019

Partizani po mendon të bëjë biznes dhe të përfitojë nga transferimi i lojtarëve. Klubi kryeqytetas shpreson që dy futbollistë të kalojnë në Itali, por trajneri Gega në radhë të parë kërkon përforcime në skuadër.

Nevoja urgjente është për të marrë, por lajme paska edhe për të larguar.

Partizani besohet se mund të bëjë biznes në Itali, ku gjatë verës pritet të transferohen dy nga futbollistët e skuadrës së sotme.

Edhe pse trajneri Gega është i përqënduar tek forcimi i skuadrës, drejtuesit mendojnë edhe për përfitimet financiare, dhe këto mund t’i kenë nëse Jurgen Bardhi, ose Alban Hoxha shkojnë te Kievo.

Natyrisht, nuk flitet për në janar, por për transferime që mund të ndodhin në verë, gjithnjë nëse palët bien dakord.

Kërkesat e Partizanit, mesa mësohet, janë të larta, dhe besohet se arrijnë deri në 1 milionë euro për të dy lojtarët, ndonëse ende nuk dihet nëse klubi italian I Serisë A mund të jetë I gatshëm të shpenzojë kaq.

Kryeqytetasit, vitet e fundit, kanë arritur të bëjnë vetëm një transferim me fitim, Ylber Ramadanin, që shkoi në Danimarkë tek Velje, për 150 deri në 200 000 euro.

Partizani nuk ka qenë në lartësinë e disa klubeve të tjerë shqiptarë, si Skënderbeu, Kukësi apo edhe Luftëtari, që kanë përfituar qindra mijë euro nga shitja e kartonit të lojtarëve.

Gjithsesi, problemi kryesor i drejtuesve mbetet kërkesa e trajnerit për të sjellë përforcime në janar.

Një sulmues dhe një mbrojtës krahu cilësohen të domosdoshëm, por pavarësisht se ka shumë kandidatura, ende nuk ka ndonjë veprim konkret. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!