Derbi në fushë përfundoi, por një tjetër sfidë vazhdon në distancë, ndërsa përballë janë dy rivalë që nuk priteshin, Partizani dhe Drejtoria e Policisë së kryeqytetit. Shkak për këtë përplasje janë ngjarjet e dhunshme që I paraprinë sfidës të luajtur mesditën e së dielës në “Arenën e Demave”.
Tifozët u përplasën mes tyre dhe uniformat blu, në kohën që skuadrat kishin nisur seancën e nxehjes. Për këtë, me anë të një deklarate për mediat klubi i Partizanit akuzoi uniformat blu për arrogancë dhe papërgjegjshmëri.
“Policia e Shtetit mbërriti me vonesë në takim, duke krijuar një boshllëk sigurie, i cili bëri që përplasjet mes dy tifozerive të transferoheshin brenda në stadium. Pamjet e shëmtuara të dhunës, të ndodhura para fillimit të takimit, janë një pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së koordinimit, bashkëpunimit dhe gatishmërisë nga ana e Policisë”, thuhet mes të tjerash në reagimin e klubit të kuq.
Por krejt I ndryshëm është versioni i policisë së kryeqytetit. Me anë të një njoftimi për mediat ajo thotë se “se stadiumi “Arena e Demave” nuk plotëson kushtet e sigurisë për zhvillimin e një ndeshjeje derbi, duke krijuar rrezik për incidente të mundshme. Pavarësisht këtij njoftimi dhe mungesës së një përgjigjeje zyrtare nga organizatorët, Policia e Tiranës mori masa për të shmangur përshkallëzimin e situatës, duke angazhuar 276 punonjës policie, të mbështetur nga 8 grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë”.
Për ngjarjet e dhunës, uniformat blu kanë arrestuar tre tifozë, ndërsa janë proçeduar në gjëndje të lirë pesë persona, mes tyre edhe delegati i FSHF për këtë ndeshje dhe sekretarin e përgjithshëm të klubit Partizani. Ata akuzohen për “Mosbindja ndaj urdhërit të policisë së rendit publik” dhe “Shpërdorim i detyrës”.