Partizani nis stërvitjen në Tiranë, pas kthimit nga Turqia

schedule18:31 - 20 Janar, 2019

schedule 18:31 - 20 Janar, 2019

Partizani ka lënë pas fazën përgatitore në Turqi, dhe ka nisur stërvitjen në Shqipëri. Trajneri Gega nuk foli për mediat, dhe u duk I shqetësuar, ndoshta për shkak se nuk I kanë ardhur ende përforcimet e duhura.

Një ditë pushim pas kthimit dhe menjëherë në punë. Partizani nuk humbi aspak kohë, dhe nisi përgatitjet për gjysmën e dytë të sezonit, tashmë në kryeqytet.

Të kuqtë u paraqitën në kompleksin sportiv “Republika e Futbollit” në Petrelë, ku zhvilluan seancën e parë stërvitore që pas kthimit nga Antalia.

Trajneri Skënder Gega, ndryshe nga kolegu i tij i Kukësit, Armando Cungu, nuk dëshiroi të fliste për mediat, duke e lënë për në konferencën para ndeshjes së Kupës, ndërsa përshtypja ishte se nuk ndihej shumë i qetë.

Nuk ka informacion për bisedimet që trajneri mund të ketë bërë me drejtuesit, por e lehtë është të mendohet se ai është i pakënaqur për mungesën e përforcimeve në rolet-kyçe.

Që në dhjetor dihej se Partizani kishte nevojë për një qendërsulmues, po ashtu për një mbrojtës krahu apo edhe një lojtar krijues në mesfushë.

U afruan tre-katër futbollistë, por vetëm mbrojtësi Lum Rexhepi mund të quhet goditje e duhur.

Fatjon Jusufi e Alesio Hyseni mund të cilësohen lojtarë të rinj me të ardhme, ndërsa mesfushori Dilaver Duka, mesa dihet, ende nuk e ka firmosur kontratën.

Për rolin e mbrojtësit objektiv është Idrizaj i Kamzës apo Jetmir Krasniqi, ndërsa si sulmues shpresohen boshnjaku Haris Hanxhiç apo serbi Fejsal Muliç.

Burime pranë Gegës pohuan për abc neës-in, se Partizani nuk po ia del, pasi sapo kërkohet një lojtar, për të ndërhyjnë edhe klube të tjera që i prishin punë.

Shpresa e madhe, sipas këtij burimi, është ardhja e një sulmuesi, por edhe kjo duket larg, e ndoshta prandaj Gega u duk i tensionuar.

Lajmi i mirë për kryeqytetasit është se e gjithë skuadra ishte nën drejtimin e trajnerit, pa probleme dëmtimesh.

Të martën, Partizani nis ndeshjet e fazës së dytë të edicionit, fillimisht ndaj Kastriotit në Kupë, ndërsa të premten në Korçë kundër Skënderbeut, për Superligën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!