Partizani po i jep dorën e fundit përgatitjeve në prag të sfidës së kthimit në play off e Conference Leagea, që mund t’i japë biletën historike për në fazën e grupeve të turneut.
Kampionët e Shqipërisë do të luajnë të enjten kundër Astanës, ndërsa duhet të përmbysin humbjen 1-0 të ndeshjes së parë.
Nga e mërkura, Zoran Zekiç dhe të besuarit e tij po stërviten në “Elbasan Arena”. Kjo lëvizje ka si qëllim ambjentimin sa më të mirë të skuadrës me impiantin ku do të luhet sfida, por edhe kristalizimin e taktikës me të cilën të kuqtë e kryeqytetit do të kërkojnë të kthejnë rezultatin në favorin e tyre.
Për këtë arsye, të gjithë sytë janë të drejtuar nga sulmi. Cara është i padiskutueshëm, ndërsa në krahë të tij, Grezda gradohet si titullar.
Sulmuesi ka treguar një formë të mirë në seancat e fundit stërvitore, por Zekiç shpreson edhe në një tjetër alternativë.
Kristian Mba nuk është rikuperuar plotësisht, por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë i grumbulluar për t’u aktivizuar për pak minuta nëse do të jetë e nevojshme.
Një rikthim tjetër i rëndësishëm është ai i Atanaskovskit. Mbrojtësi i majtë mungoi në ndeshjen e parë për shkak të kartonëve, ndërsa pas pezullimit është gati të zbresë në fushë si zëvendësues./h.ll/abcnews.al