Në prag të derbit me Tiranën, trajneri i Partizanit Skënder Gega ka shume pikëpyetje rreth formacionit titullar. Të kuqtë vuajnë nga 3 mungesa të rëndësishme.
Në vigjilje të derbit të kryeqytetit Tirana-Partizani, të kuqtë do të luajnë me ndryshime të shumta në formacion. Ndryshe nga takimet e mëparshme, trajneri Skënder Gega është i detyruar të improvizojë me lojtarët që ka në dispozicion.
Bruno Telushi është dënuar nga Komisioni i Disiplinës, ndërkohë që Emanuel Mensah dhe Jasir Asani kanë plotësuar numrin katër të kartonave dhe do të mungojnë ndaj Tiranës.
Detyra e Gegës është të gjejë ekuilibrat e duhura edhe pse do të jetë tepër e vështirë përballë një Tirane të uritur për fitore aq më tepër që vjen pas shkëlqimit në kupë ndaj Luftëtarit.
Për kryesuesit e kampionati shqiptar ka edhe lajme të mira pasi do të rikthehet Belica, i cili mund të rreshtohet përkrah Rexhepit në qendrën e mbrojtjes ndërkohë që Atanda pritet të vendoset në rolin e Telushit.
Sa i përket zëvendësimit të Asanit dhe Mensah, Gega pritet të hedhë në fushë Çinarin dhe njërin mes Hebaj dhe Trashit./ABC News Albania 24/7

