Short i vështirë për skuadrat shqiptare në Ligën e Europës. Partizani, Luftëtari e Laçi nuk do të kenë shumë shanse për kualifikim.
Nuk e mendonte ndoshta se do ta kishte shumë të vështirë që në fillim.
Lajmi i parë për Skënder Gegën, trajnerin e ri të Partizanit, ishte ai i shortit të raundit të parë të Ligës së Europës, që e vuri përballë Mariborit slloven, me takimin e parë në Tiranë.
Flitet për ekipin 14 herë kampion të Sllovenisë dhe fitues 9 herë të Kupës.
Për më tepër, Maribori ka njohur suksese të shumta në kupat kontinentale, duke u kualifikuar 3 herë në grupet e Championsit (për herë të fundit vjet), dhe 4 herë në grupet e Ligës së Europës.
Për Mariborin luajnë mjaft lojtarë të rëndësishëm, përfshi edhe futbollistin e kombëtares shqiptare, Valon Ahmedi.
Partizani ndërkaq, mbylli një tjetër sezon me probleme dhe u kualifikua për në Europë vetëm falë dënimit të Skënderbeut.
Trajneri Gega do të duhet të rindërtojë skuadrën pas largimit të disa lojtarëve, ndërsa disa të tjerë nuk bindën.
Padyshim, Partizani nuk është favorit, ndërsa vjet u eleminua që në raundin e parë të Ligës së Europës nga Botevi i Plovdivit, i Bullgarisë.
Më i lehtë shorti për Luftëtarin, edhe pse jo aq i thjeshtë, dhe me ndeshjen e parë jashtë fushe.
Gjirokastritët do të ndeshen me ekipin nga Letonia, Ventspils, gjashtë herë kampion dhe 7 herë fitues i Kupës së vendit të tij.
Letonezët nuk janë pa suksese në Europë, duke eleminuar edhe ekipe nga Norvegjia, Zvicra, Polonia, Danimarka, Uellsi apo edhe BATE-n e Borisovit nga Bjellorusia.
Vitet e fundit ka qenë më dobët, duke mundur vetëm skuadra nga Uellsi, Luksemburgu apo Ishujt Faroe.
Në përbërje ka lojtarë letonezë, ukrainas, moldavë, rusë dhe shumë afrikanë.
Luftëtari, nga ana e tij, realizoi një edicion të shkëlqyer në Superligë, por mori trajner të ri, sllovenin Millosh Kostiç, pasi nuk rinovoi kontratën me Hasan Likën.
Disa lojtarë të rëndësishëm janë larguar, por besohet se Devi Bregu do të kthehet.
Laçi, ndërkaq, do të ketë short të fortë, me ndeshjen e parë jashtë.
Përballë kurbinasve u vendos Anorthosis e Famagustës nga Qipro, në vend të tretë në kampionat vitin e fundit.
Dhjetë herë kampion i Qipros, 7 herë fitues i Kupës, kurrë në kategorinë e dytë dhe i vetmi ekip qipriot që mori pjesë në grupet e Championsit.
Edhe Laçi, ashtu si Partizanit e Luftëtari, do të ketë trajner të ri, Besnik Prengën, që doli kampion i Kroacisë për të rinjtë me Lokomotivën e Zagrebit.
Kurbinasit patën një sezon shumë të mirë në Superligë dhe arritën në finalen e Kupës me trajnerin Mezani, duke humbur me Skënderbeun.
Ndeshjet e para të Ligës së Europës luhen në 12 korrik, të kthimit pas një jave, në 19 korrik. /abcnews.al