Partizani me detyrë tepër të vështirë në Kupë

schedule18:06 - 13 Shkurt, 2018

schedule 18:06 - 13 Shkurt, 2018

Partizani-Flamurtari është dueli më interesant i Kupës së Shqipërisë. Skuadra kryeqytetase ka detyrën e vështirë që të përmbysë humbjen 0-1 të pësuar në Vlorë

Nuk mungon djersa e derdhur në stërvitje.

Partizani është shembullor në çdo seancë, veçse thuajse asgjë nuk po i ecën mbarë këtë sezon, duke rrezikuar edhe objektivin thuajse të vetëm real.

Ndaj Flamurtarit luan ndeshjen e kthimit çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, dhe në “Selman Stërmasi” duhet të përmbysë humbjen 0-1 pësuar në Vlorë.

Rezultat krejtësisht jo komod për çdo ekip, aq më tepër për Partizanin që shënon shumë pak gola.

Në mungesë të trajnerit Starova, kryeqytetasit do të drejtohen sërish nga ndihmësi i tij, Klevis Dalipi.

Flamurtari gjithashtu nuk shënon shumë, por gjithashtu as nuk pëson.

Kjo e bën optimist trajnerit Shpëtim Duro, i cili në një vit në krye të skuadrës ka krijuar një formacion pretendent.

Partizani do të ketë sërish mungesë sulmuesin kryesor, Edgar Çani, por po ashtu edhe Fejzullahun, ndërsa braziliani Lukas Kardozo mund të lihet në stol.

Flamurtari, ndërkaq, do të ketë mungesë të sigurt brazilianin Zhufo, ndërsa në dyshim është sulmuesi Danilo Alvesh, edhe ky brazilian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!