Partizani luan mirë në miqësoret në Turqi

schedule17:40 - 12 Janar, 2019

schedule 17:40 - 12 Janar, 2019

Kontrast i madh tek Partizani mes ndeshjeve që po zhvillon në Turqi, dhe mungesës së përforcimeve. Trajneri Gega shpreson që drejtuesit e klubit t’i sjellin një sulmues.

Në fushën e lojës, është ekipi i duhur. Partizani po bind në Turqi, madje edhe më shumë sesa po e bënte në Superligën shqiptare gjatë fazës së parë, ndonëse problemet duket se nuk mungojnë.

Përtej barazimeve dhe paraqitjes mjaft pozitive, me Sivasporin dhe me Antaliasporin, trajneri Gega ka edhe disa kërkesa të tjera, dhe këto lidhen me përforcimet.

Më në fund, mbërriti një mbrojtës, me origjinë nga Kosova, Lum Rexhepi, që luan në Finlandë me KU PS. Futbollisti 26-vjeçar pritet të bashkohet shpejt me skuadrën në Turqi, dhe të jetë një alternativë e mirë në mbrojtje.

Gjithsesi, faza sulmuese mbetet ajo që ishte. Partizani mund të kishte marrë Vasil Shkurtajn, por burime pranë lojtarit tregojnë se Kukësi u tregua më I shkathët dhe praktik.

Po ashtu janë përfolur alternativa si Kuame Amponsah apo edhe Ibraimi nga Domzhale, por asnjëri prej tyre nuk po vjen.

Faza përgatitore në Antalia do të vazhdojë edhe për pak ditë, dhe në ditët e fundit të janarit do të nisë kampionati, me Partizanin, që edhe nëse arrin të marrë ndonjë lojtar, ka humbur ndërkaq shumë ditë për ta përshtatur me lojën e skuadrës.

Megjithatë, Gega mund të ndihet i qetë sepse formacioni kryeqytetas po tregon rritje në lojë, dhe kjo pritet t’i shtojë shanset për të fituar titullin kampion, aq më tepër që ndodhet në krye të renditjes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!