Partizani largon Edgar Çanin

schedule21:18 - 23 Gusht, 2018

schedule 21:18 - 23 Gusht, 2018

Partizani largon një ish-lojtar të kombëtares nga skuadra. Edgar Çani ndërpret bashkëpunimin me klubin kryeqytetas, dhe mund të vazhdojë karrierën në Itali.

Nuk ndezi për asnjë moment.

Edgar Çani u largua nga Partizani, ashtu siç erdhi, pa mundur të lerë gjurmë. Ish-sulmuesi i kombëtares, një nga lojtarët më të talentuar të brezit të tij, shkoi kot një tjetër shans në karrierë, pasi kishte shpërdoruar për vite me radhë.

Klubi kryeqytetas njoftoi zyrtarisht se kishte arritur marrëveshjen me 29-vjeçarin për të prishur kontratën, ndonëse nuk jepet shifra për të cilën është rënë dakord. Çani u mor në ekip nga ish-trajneri Mark Iuliano, por dëmtimi e pengoi që të aktivizohej shpesh.

Më pas, ai nuk u preferuar as nga dy trajnerët e tjerë të sezonit të kaluar, Sulejman Starova e Klevis Dalipi, duke u kufizuar vetëm me stërvitje, ose me minutazh tepër të kufizuar.

Gjatë gjithë edicionit, arriti të shënonte shumë pak, siç ishte një gol në Kuçovë, për Kupën e Shqipërisë. As ardhja e trajnerit të tanishëm, Skënder Gegës, nuk e ndryshoi situatën e Çanit, i cili u transferua në ekipin B.

Cila do të jetë e ardhmja e sulmuesit?

Mediat italiane shkruajnë se mund të sistemohet në kategorinë e tretë italiane, në Serinë C, me skuadrën modeste Viboneze./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!