Ndryshime të rëndësishme në skuadrën e Partizanit, në nisje të përgatitjeve për fazën e dytë të sezonit. Disa lojtarë janë larguar, ndërsa skuadra është zhvendosur për t’u stërvitur në Turqi.
Fillimi i vitit nuk doli aspak i qetë.
Plot tre futbollistë u larguan nga Partizani pa nisur mirë faza përgatitore, një tjetër shenjë se klubi kryeqytetas mbetet në fazë rindërtimi.
Emiliano Vila, shënuesi i golit në Korçë ndaj Skënderbeut në 2016, mbrojtësi Gëzim Krasniqi dhe mbrojtësi tjetër Renato Malota.
Besohet se kanë qenë vetë drejtuesit dhe trajneri Starova që kanë gjykuar se lojtarët në fjalë nuk duhej të vazhdonin të ishin pjesë e grupit dhe në këtë vendim kanë ndikuar edhe forma e tyre sportive, por edhe marrëdhëniet me trajnerin dhe drejtuesit.
Përveç tyre, më herët ishin lënë jashtë liste edhe Adorjan apo Xhixhua.
Gjithsesi, trajneri Starova, bën presion ndaj drejtuesve sepse sipas tij ekipi nuk është i plotë.
Partizani ka udhëtuar, ndërkaq për në Turqi, ku do të zhvillojë një minifazë përgatitore.
Skuadra do të stërvitet për 10 ditë në Antalia dhe aty do të luajë të paktën dy ndeshje miqësore që janë të konfirmuara, ndaj Kasëmpashait të Superligës turke në 12 janar, dhe ekipit kazak Pahtator i Tashkentit në 15.
Partizani është në vendin e pestë në Superligë, 13 pikë prapa Skënderbeut kryesues, por pretendimet janë për kualifikim në Europë dhe për fitoren e Kupës./abcnews.al