Partizani i kënaqur për fitoren, Demi sulmon federatën

schedule15:16 - 29 Shtator, 2018

schedule 15:16 - 29 Shtator, 2018

Kënaqësi e madhe tek Partizani për fitoren e derbit. Trajneri Gega u shpreh i kënaqur nga ekipi, por presidenti Demi lëshoi shigjeta ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit.

Nuk janë engjëj, por spektaklin prej tyre e ke të garantuar. Flasim për tifozët, sërish protagonistët kryesorë të derbit, edhe pse pritej që heronjtë të ishin lojtarët në fushën e lojës. Sidomos të shumtë dhe të zjarrtë përkrahësit e Tiranës, që e luanin sfidën në fushën e tyre, dhe që u nisën nga qendra e kryeqytetit, si për të treguar se janë ata autoktonët në këto vise. Marshimi drejt “Selman Stërmasit” ishte mbresëlënës, dhe po ashtu mbërritja. Për fat, policia ishte gati dhe kishte marrë masat, ndërsa dy tifozeritë mbërritën në tempullin e vetëm të futbollit në Tiranë.

Nuk pati përplasje mes grupimeve bardheblu dhe të kuq. Skuadrat po ashtu mbërritën në stadium, veçse me më shumë tension dhe më pak entuziazëm sesa mbështetësit e tyre. Ndoshta, më i qetë Partizani, i pathyer prej 4 vitesh, me më shumë trysni tiranasit e trajnerit të rrezikuar Ze Maria. Përfundimi i duelit të javës së 6-të të Superligës, fatkeqësisht apo fatmirësisht, ishte ai që u parashikua.
Fitoi Partizani, dhe dalja e tifozëve nga “Selman Stërmasi”, pati diferencë në humor, ndryshe nga hyrja që ishte për të gjithë fantastike.
Mes atyre më të lumturve, padyshim edhe presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, që sidoqoftë, nuk la pa lëshuar një shigjetë ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit.

Gazmend Demi, president i Partizanit: “Është fillimi. Nuk ka lidhje titulli, atë e kanë këta të mëdhenjtë Korça-Skënderbeu. Ju uroj respekte.”

Trajneri partizanas, Gega, u pyet për derbin dhe për mungesën çerekshekullore të titullit.

Skënder Gega, trajner i Partizanit: “Ndoshta nuk qe një spektakël me gola, megjithatë lotarët u përgjigjën. Fitorja ndaj Tiranës na rrith moralin dhe na jep qetësi për ndeshjen tjetër. Esoj se javët e fundit jemi në rritje. Jemi munduar ti mbajmë lojtarët me këmbë në tokë. 25 vjet nuk mund ti kompesojmë për një vit , për mua shumë e rëndësishmë është të jetë një bazë bërthamë për klubin, për të ardhmen, nëse jo këtë vit atëhere vitin tjetër.Duhet të kemi durim.”

E kundërt atmosfera tek Tirana. Presidenti Halili, konfirmoi atë që raportoi ABC News, pra që trajneri Ze Maria rrezikon postin.
Numri 1 i klubit deklaroi se ekipi është i kompletuar, duke ia lënë fajin teknikut, por duke theksuar se është ende herët për të folur për shkarkim. Po përgjigja e brazilianit cila ishte?

Ze Maria, trajner i Tiranës: “Një derbi është gjithmonë një derbi, një ndëshje e veçantë me shumë emocion. Nëse nuk je në gjendje ta përballosh këtë presion kjo të dëmton. Kështu ndodhi me skuancrën tonë sot. Me një rezultat pozitiv do të kishim pasur një stysë të fortë për të ecur përpara. Por për këtë që ndodhi nuk duhet ta dramatizojmë më shumë se sa duhet, ndryshe prish punë. Përsa i përket fatit tim, unë bëj punën time. Ndërsa këtë nuk e kam unë në dorë.”

Përfundoi pra një tjetër derbi, dhe kënaqësia ishte tërësisht e të kuqve, që nuk patën ndalesë në synimet e tyre drejt titullit./abcnews.al