Partizani i jep garanci trajnerit Gega, do të rinovojë kontratën

schedule23:23 - 14 Janar, 2019

schedule 23:23 - 14 Janar, 2019

Trajneri Skënder Gega pritet të rinovojë kontratën me Partizanin. Tekniku ka rënë dakord me drejtuesit, por kërkon sa më shpejt përforcime në skuadër

Nuk janë mbushur ende 8 muaj. Në 18 qershor të vitit të kaluar, u prezantua në stol, ndërsa Skënder Gega ka bindur Partizanin që të rinovojë kontratën edhe pse ka kaluar vetëm gjysmë sezoni.

Burime në klubin kryeqytetas bëjnë me dijë se Gega ka marrë garanci të plota nga drejtori Olsi Rama, në takimin që pati në Antalia. Klubi është dakord që të zgjasë marrëveshjen me teknikun, dhe firma mbi akordin e ri pritet të hidhet shpejt.

Partizani i Gegës e mbylli në krye fazën e parë të Superligës, duke tejkaluar çdo parashikim, edhe pse javët e fundit nuk pati shumë fitore, ndërsa peshuan si minus, dy humbjet e pësuara ndaj Skënderbeut, 0-1 në Korçë, dhe 0-2 në “Selman Stërmasi”.

Kryeqytetasit vazhdojnë fazën përgatitore në Antalia, ndërsa pritet të kthehen në Shqipëri në 18 janar, për rifillimin e kampionatit në datën 25 të këtij muaji, kur i pret menjëherë një duel i vështirë në fushën e Skënderbeut.

Gega ka deklaruar se është i kënaqur me stërvitjet në Turqi, si edhe me paraqitjet në miqësore, madje ka theksuar se skuadra ka treguar rritje të ndjeshme nga dita në ditë.

Gjithsesi, ai ka bërë kërkesa për lojtarë të tjerë në ekip.

Deri tani, ka mbërritur vetëm qendërmbrojtësi Lum Rexhepi nga Finlanda, por pritet një mbrojtës i djathtë dhe një sulmues. Si mbrojtës i djathtë flitet për Jetmir Krasniqin, shqiptar Kosove ne Lugano, ndërsa si sulmues ende nuk ka asnjë kandidaturë të sigurt.

Burime pranë klubit bëjnë me dijë se përsa i përket repartit ofensiv, u humb mundësia për të marrë Vasil Shkurtajn, ish-lojtar i Luftëtarit, që tashmë është përforcim i Kukësit, rival për titullin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!