Partizani i afrohet Europës

schedule17:00 - 1 Prill, 2018

schedule 17:00 - 1 Prill, 2018

Partizani hodhi një hap të madh drejt kualifikimit për në kupat e Europës, me fitoren në stadiumin e Kamzës. Një gol i brazilianit Kardozo i dha suksesin në minutat e fundit.

Çfarë transformimi ka pësuar kjo skuadër.
Partizani i sotëm nuk të kujton aspak atë ekip të çoroditur të disa javëve më parë, dhe jo vetëm fiton, por edhe e bën duke imponuar lojën e tij.

Nën drejtimin e trajnerit Klevis Dalipi, fillimisht pak të vlerësuar, kryeqytetasit fituan në fushën e vështirë të Kamzës, dhe u bashkuan me Laçin e vendit të tretë në renditjen e Superligës.

Edhe pse nuk ishte aspak e thjeshtë, ndaj një ekipi që tashmë rrezikon të bjerë nga kategoria, sërish Partizani ishte që në fillim më ofensiv, i vendosur të arrinte objektivin e sezonit, kualifikimin për në Ligën e Europës.

Dënimi potencial i Skënderbeut pritet t’ia lehtësojë punën, por gjithsesi, Dalipi nuk pret dhurata, por kërkon që atë që i duhet ta arrijë vetë.
Sidoqoftë, fitorja nuk erdhi lehtë, përkundrazi, vetëm në minutat e fundit.

Trajneri mik pati edhe meritën e madhe, ndoshta edhe fatin, që goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga një lojtar që ai e hodhi në fushë si zëvendësues vetëm pak minuta para avantazhit.

Braziliani Kardozo shfrytëzoi gabimin e një mbrojtësi, por edhe klasin e tij për të krijuar një gol nga asgjëja. Të kuqtë kanë sot më në fund një skuadër me thellësi, pra me shumë alternativa, tani që edhe Edgar Çani mund të aktivizohet më shpesh, dhe ndoshta nuk do ta ndjejë shumë mungesën e Trashit, që do të jetë i pezulluar për takimin e ardhshëm ndaj Laçit.

Në renditje, Partizani ka tani 42 pikë, po aq sa kurbinasit, me të cilën do të luajë një sfidë direkte për Europën. Falë këtij suksesi, kryeqytetasit janë shkëputur disi nga pretendentët e tjerë për kompeticionet kontinentale, si Luftëtari apo Flamurtari. Kamza, ndërkaq, mbetet në 34 pikë, vetëm 5 pikë larg vendit të parafundit që të zbret në Kategorinë e Parë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!