Partizani do të ketë edhe ekip femrash dhe ka nisur punë nga krijimi i tij. Klubi i kuq ka dalë me një njoftim dhe fton të gjitha ato vajza që kanë pasur eksperienca të mëparshme t’u bashkohen.
“FK Partizani njofton se ka nisur organizimin për krijimin e ekipit të femrave për sezonin e ri 2020-2021. Ekipi do të debutojë në Kategorinë Superiore të FSHF-së dhe do të ketë përkushtimin maksimal të drejtuesve për të qenë në elitë, objektiv i cili është primar për të gjitha ekipet anëtare të klubit.
FK Partizani fton të gjitha vajzat e moshës mbi 15 vjeç dhe që kanë patur eksperienca të mëparshme në ekipe, të na kontaktojnë”, shkruhet mes të tjerash në njoftimin e klubit të Partizanit në rrjetet sociale.
Zhvillimi i futbollit të femrave është një sfidë me vete dhe FIFA po i mbështetet federatat në aspektin financiar. FSHF normalisht ka marrë pjesën e vet të fondeve dhe pritet të paguajë një pjesë të pagave të futbollisteve, sicc edhe e ka njoftuar para disa kohësh. /abcnews.al