Partizani e Skënderbeu, rivalët për titull

schedule13:30 - 9 Tetor, 2018

schedule 13:30 - 9 Tetor, 2018

Partizani dhe Skënderbeu do të jenë rivalët kryesorë për titull në Superligë. Kështu gjykon trajneri me përvojë, Agim Canaj, i cili gjithashtu komentoi gjendjen e kombëtares, nën drejtimin e Panuçit.

Ka përfunduar thuajse një fazë dhe diçka është qartësuar. Partizani duket për shumëkënd si kandidati numër 1 për titull këtë sezon të Superligës, dhe nuk bën përjashtim as njëri nga trajnerët me më shumë përvojë, Agim Canaj. Njeriu që drejtoi në 14 skuadra, mes të cilave Dinamo, Vllaznia, Flamurtari apo Kukësi, e vlerësoi kështu skuadrën e Gegës pas fitores me Kukësin.

“Partizani ishte më dominant në mesin e fushës ndërmjet gabimeve të Kukësit arriti që ta kapte në 3-4 raste me kundërsulm. Nuk kanë hyrë me bujë, që ne jemi Pratizani dhe do fitojmë të gjitha. Kanë përshtatur shumë mirë psikologjinë e një sistem loje, i cili i vjen për shtat grupit. Me të drejtë, Partizani ka shprehur një futboll cilësor, të thjeshtë dhe rezultativ”, tha Canaj.

Kukësi humbi dhe duket se po mbetet prapa.

“Kukësi ka diçka ndryshe nga vitet e tjera. Rexhinaldo nuk pati hapësira dhe u tërhoq shumë. Unë i jap të drejtë trajnerit që foli pas ndeshjes për largësinë e lojtarit kryesor”, u shpreh Canaj.

Canaj, gjithsesi, mendon se Partizani do ta ketë një rival kryesor, Skënderbeun.

“Unë e kam vlerësuar gjithmonë klubin e Skënderbeut, sepse është një nga klubet më të mirëmenaxhuara në këto vitet e fundit”, theksoi ai.

Nuk mund të mos flitet për rekordmenen e titujve, Tiranën.

“Mosnjohja e Superiores nga trajneri, stafi teknik, duke pasur shumë lojtarë me ngjyrë të ardhur nga menaxherë të ndryshëm, prishi ekuilibrat. Trajnerit i ka dalë çdo gjë nga dora”, tha Canaj.

Kombëtarja luan me Jordaninë në mesjavë dhe pastaj ndaj Izraelit në Ligën e Kombeve. Canaj e sheh Panuçin shumë nervoz, duke akuzuar lojtarë dhe njerëz të jashtëm.

“Ai e ndërtoi grupin dhe ai duhet të mbajë përgjegjësitë e veta. Nga ajo që unë nuhas si trajner shoh puna në skuadër ka qenë problematike në marrëdhëniet me lojtarët, ambientindhe pastaj vijnë gjithë këto situata negative. Panuçi do ta ketë të vështirë për të marrë rezultat”, nënvizoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!