Partitë politike në pushtet dhe opozita në Maqedoni kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet presidenciale. Dhe pse emrat e kandidatëve të mundshëm kanë nisur të qarkullojnë, ende nuk ka asgjë konkrete. Mandati i presidentit aktual Ivanov skadon në pranverë.
LSDM në Maqedoni dhe partnerët e koalicionit qeverisës duhet të dalin me një emër të përbashkët për sa i përket kandidatit për zgjedhjet presidenciale. Është kjo kërkesa e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev. Edhe pse janë disa emrat që përmenden, ende nuk ka një kandidaturë konkrete. I pyetur nga agzetarët Zaev nuk pranoi të japë një mendim personal duke sqaruar se deri tani nuk ka bisedime me partnerët për këtë temë, pasi prioritet i qeverisë mbetet miratimi i ndryshimeve kushtetuese. Por kreu i ekzekutivit u shpreh se kandidati do të jetë më i miri ose më e mira.
Nga ana tjetër burime në BDI konfirmojnë se Ahmeti dhe Zaev kanë diskutuar tashmë mbi temën e një kandidati konsensual, por pa emra konkret. Pas miratimit të Marrëveshjes së Prespës, ajo do të jetë tema qendrore e debatit mes partnerëve të koalicionit qeveritar.
VMRO-ja në opozitë ka bërë një lajmërim publik për zgjedhjen e kandidatit për president. Edhe në këtë rast përmenden disa emra por asnjë kandidaturë konkrete
Mediat maqedonase raportojnë se nuk përjashtohet mundësia që Besa e Kasamit dhe Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës të dalin me kandidat të përbashkët. Këtë vendim do e marrin organet partiake, thonë nga partitë opozitare shqiptare. Zgjedhjet presidenciale do duhet të shpallen në fillim të muajit shkurt. Këtë pranverë i skadon mandati presidentit aktual Gjorgje Ivanov. /abcnews.al