Një parti populiste pro-Moskë e drejtuar nga ish-kryeministri Robert Fico, ka fituar zgjedhjet parlamentare në Sllovaki, kur janë numëruar gati të gjitha votat, raporton BBC.
Partia “Smer-SSD” ka një epërsi bindëse prej 24 për qind të votave, ndonëse exit-pollet kishin sugjeruar se do të fitonte partia centriste liberale.
“Smer-SSD” ka premtuar se menjëherë do ta ndalë përkrahjen ushtarake për Ukrainën.
Fico ishte detyruar të jepte dorëheqje nga posti i kryeministrit pas vrasjes së gazetarit investigativ Jan Kuciak në vitin 2018.
Ai pritet t’i nisë bisedimet për formim të koalicionit për qeverinë e ardhshme. Partia liberale “Progressive Slovakia”, të cilën exit-pollet e kishin parë fituese, ka marrë 17 për qind të votave. Partia pro-evropiane “Hlas” ka marrë 15 për qind të votave.