Kryeministri hungarez, Viktor Orban njoftoi largimin e deputetëve të partisë së tij, Fidesz nga konservatorët e grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane, PPE. Më parë PPE vendosi ndryshime në statut.
Vite me radhë i ashtuquajturi burri i fortë i Hungarisë, Viktor Orban u grind me familjen europiane të kristiademokratëve, PPE. Tani grupi parlamentar i Partive Popullore Europiane, PPE ndryshoi rregulloret e statutit për të mundësuar pezullimin e partisë hungareze, Fidesz nga ky grup parlamentar. Kryeministri hungarez, Viktor Orban reagoi menjëherë.
Në një letër të dërguar për kreun e grupit parlamentar kristiandemokrat në Parlamentin Europian, Manfred Weber, Orban bëri të ditur largimin e partisë së tij, Fidesz, shkruan dpa. 12 deputetë të partisë Fidesz largohen nga PPE. “Ju njoftoj me këtë, se deputetet e Parlamentit Europian të PPE i japin fund anëtarësisë në grupin parlamentar të PPE”, bëri të ditur Orban.
Vetëm pak para njoftimit grupi parlamentar kristiandemokrat i PPE kishte vendosur në një takim online me shumicën e nevojshme për ndryshimin e rregulloreve që mundësonin një pezullim të anëtarësisë së Fidesz në këtë grup parlamentar. Orban kishte kërcënuar të dielën me një letër tek Weber, se nëse ky ndryshim do të bëhej, atëherë ai do t’i tërhiqte deputetët e partisë së tij. Me këtë largim, Orban i parapriu procesit të pezullimit të anëtarësisë.
Pas largimit të partisë Fidesz nga PPE mbeten si mundësi për këtë parti kalimi tek grupimi parlamentar nacional i djathtë, “Konservatorët Europianë dhe Reformatorët” ose tek gruimi parlamentar edhe më djathtas në Parlamentin Europian, grupimi “Identitet dhe demokraci”. Megjithatë grupi parlamentar kristiandemokrat, PPE mbetet më i fuqishmi në Parlamentin Europian./DW