Parlamenti ‘skenë krimi’/ Prokuroria në sallën e seancave plenare pas tymueseve e zjarrit të vënë nga Foltorja

schedule11:06 - 20 Nëntor, 2023

schedule 11:06 - 20 Nëntor, 2023

“Tym dhe flakë”. Kjo ishte panorama e seancës plenare të kësaj të hëne në Kuvend, ku deputetët e Foltores shkaktuan sërish tensione dhe kaos.

Deputeti Flamur Noka, por dhe të tjerë, ndezën flakadanë duke shkaktuar tym në sallë, ndërsa mori flakë dhe një objekt në një prej tavolinave ku qëndrojnë deputetët opozitarë.

Në lidhje me këtë, një ekip i Prokurorisë së Tiranës ka mbërritur në sallën e Kuvendit, për të parë elementët që shkaktuan zjarrvënien si dhe për të parë kamerat e sigurisë.

“Sali Berisha dhe Gazment Bardhi e quajnë një fitore të opozitës, së kauzës së saj dhe akuzuan mazhorancën se përdorën Gardën e Republikës. Prokuroria e Tiranës ka ardhur në Kuvend, ka mbërritur një ekip për të parë të gjithë elementët që shkaktuan zjarrvënien, për të parë kamerat e sigurisë. Një flakadan iu hodh kryeministrit, por garda e bllokoi atë”, raportoi gazetarja e ABC News, Esiona Konomi.

E pranishme në Kuvend është edhe policia, për shkak të situatës së krijuar me tymueset. Specialisti i Hetimit të Krimeve nga Komisariati nr.1, specialistë të Krimit nga Drejtoria vendore e Policisë dhe ekspertë kriminalist, po kryejnë veprime në sallën e Kuvendit.

Gazetari Ervin Leka, duke iu referuar detajeve nga grupi hetimor, raporton se do të ketë procedime penale si dhe një referim në SPAK pas marrjes së provave dhe materialeve që janë gjetur në Kuvend.

Seanca plenare zgjati rreth 5 minuta, dhe buxheti u votua në parim, teksa nuk pati asnjë diskutim, teksa Kuvendi u “pushtua” nga tymi i flakadanëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!