Parlamenti nis punimet me votimin e dekreteve “Meta” për ministrat

schedule16:44 - 15 Janar, 2019

schedule 16:44 - 15 Janar, 2019

Parlamenti do të nisë punimet ditën e mërkurë në një seancë të jashtëzakonshme të kërkuar nga kryeministri Rama, me qëllim votimin e dekreteve të Presidentit për kabinetin qeveritar.

 “Sesioni i parë i punimeve të kuvendit për vitin 2019 duket se nuk do të çelë të hënën e tretë të janarit, por do nisë me një seancë të jashtëzakonshme pasditen e së mërkurës. Vendimi i zyrtarizuar me urdhër të kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi erdhi pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama dhe motiv votimin e dekreteve të Presidentit për ndryshimet në kabinetin qeveritar”.

Afati Kushtetues 10 ditor nga nxjerrja e dekretit presidencial deri në votimin në Kuvend ishte në thelb të kërkesës së kryeministrit, e shqyrtuar në konferencën e kryetarëve që mblodhi të majtë e të djathtë.

60 minuta më vonë opozita e quajti të panevojshme këtë seancë të jashtëzakonshme.

“Kryeministri kërkon seancë të jashtëzakonshme në kundërshtim me interpetimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila thotë në rast dekreti të ministrave, Kuvendi mund ta kalojë afatin 10 ditor”.

Ende të lëkundur e shfaqën demokratët vendimin e pjesëmarrjes apo jo në seancën e së mërkurës.

“Do marrim pjesë, por këtë do ta diskutojmë në grupin e partive opozitare dhe nëse do jetë e nevojshme do jemi në Kuvend”.

Edhe pse në konferencën e kryetarëve përvec kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor mbi Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, opozita parashtruan edhe një tjetër kërkesë.

“Për zgjatjen e afatit të komisionit hetimor për çështjen e drogës, pasi ende institucionet nuk kanë sjellë informacione tq ëtë fillojë punën komisioni”.

Mazhoranca nuk ka refuzuar asnjë kërkesë të opozitës për komisione hetimore, dhe nuk do të fillojë tani, theksoi kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, i cili i sapo dalë nga një takim me ambasadorin e BE-së Luigi Soreca, opozitës i shtoi një komision në listën e arsyeve përse sipas tij duhet të vijnë në parlament.

“Nuk ka ndonjë kërkesë të opozitës për komision hetimor që të jetë refuzuar. Apeli im për opozitën është miratimi në Kuvend sa më parë i paketës së reformës zgjedhore . Kemi arritur në një draft që përmban të gjitha kërkesat e kahershme të opozitës”.

Për Taulant Ballën koha premton ende.

“Jemi në kohë për të pilotuar në 200 qendra votimi aspektet eteknologjisë së zgjedhjeve. I kemi mundësinë për ta bërë në zgjedhjet e qershorit dhe nëse kjo është funksionale, të bëhet edhe në nivel kombëtar”.

Seanca e parë parlamntare që do të nisë në orën 17 të së mërkurës ka në rendin e ditës dekretet presidenciale që konfirmojnë propozimet e kryeministrit për shkarkimet dhe emërimet e ministrave të kabinetit të tij, përveç atij të shkarkimit të ministrit të jashtëm Ditmir Bushati dhe emërimit të kryeministrit Rama në postin e tij, vendimi marrë pas refuzimit të presidentit për dekretimin e Gent Cakajt si ministër të jashtëm. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!