Parlamenti në Maqedoni nis fushatën për referendum për çështjen e emrit

schedule13:19 - 10 Shtator, 2018

schedule 13:19 - 10 Shtator, 2018

Parlamenti i Maqedonisë ka nisur zyrtarisht fushatën për mbajtjen e referendumit për çështjen e emrit në 30 shtator. Në fushatë do të marrin pjesë deputetë të partive të ndryshme përveç VMRNO DPMNE e cila është në opozitë dhe kundërshton mbajtjen e referendumit.

Nis zyrtarisht në Maqedoni fushata për referendumin, në të cilin qytetarët më 30 shtator duhet të deklarohen nëse janë për anëtarësim në BE dhe në NATO duke pranuar marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit.

Organizator i kësaj fushate është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, ndërsa kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi të premten paralajmëroi se do ta zhvillojnë fushatën në mënyrë transparente dhe të drejtpërdrejtë, pa diskriminim, paragjykime dhe duke respektuar dëshirën e çdo qytetari.

Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve në fushatë të sillen në mënyrë korrekte në mënyrë që qytetarët më 30 shtator të vendosin qartë.

Në fushatën e Kuvendit do të përfshihen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, në përjashtim të VMRO-DPMNE-së, në opozitë, e cila njoftoi se nuk do të marrë pjesë në fushatë dhe se kërkon që fondet e caktuara të shpenzohen për qëllime të tjera. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!