Parlamenti i ri Europian nis punën

schedule13:39 - 2 Korrik, 2019

schedule 13:39 - 2 Korrik, 2019

Parlamenti i ri Europian ka hapur seancën e parë me eurodeputetët e 28 vendeve anëtare. Ndërkohë që gjatë ditës priten dhe emrat që do të drejtojnë institucionet kryesore europiane.

Në orën 10 të së martës ka nisur seancën e parë e parlamentit të ri europian. Eurodeputetët e 28 vendeve anëtare shënuan fillimin e legjislaturës së nëntë 2019 – 2024, duke u mbledhur në seancën e parë në Strasburg. Seancë gjatë të cilës do të zgjidhen presidenti i ri iparlamentit dhe 14 zëvendësuesit e tij. Asambleja do të votojë dhe përbërjen e komisioneve dhe nën komisioneve të përhershme.

Ndërkohë ka nisur dhe një raund i dytë i samiti europian për emërimet në postet kryesore në Europë. Pas dështimit të dy ditëve më parë presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk ka kërkuar një takim të ri për të martën.

Propozimi i së dielës nga kancelarja gjermane Anxhela Merkel për Frans Timmermans dhe Manfred Veber për presidencat e komisionit dhe parlamentit europian, nuk gjeti mbështetjen e asnjërit prej kryeministrave popullorë të vendeve të Bashkimit Europian. Analistët e shohin këtë bllokim të situatës si një precedent të rrezikshëm pasi për herë të parë boshti franko – gjerman nuk e ka më mbështetjen e familjes politike të popullorëve.

Kundër propozimit të Merkel u rreshtuan njëzëri Bullgaria, Hungaria, Irlanda, Polonia, Rumania dhe vende të tjera që nuk qeverisen nga popullorët, si Italia. Sipas analistëve Merkel ka bërë gabime të pashpjegueshme.

Fillimisht në metodikë pasi nuk përgatiti si duhet terrenin në partinë popullore europiane për propozimin që do të jepte. Por dhe në substancë, duke u përpjekur të imponojë një kandidaturë në Parlamentin Europian, institucionin e vetëm të Bashkimit Europian, i cili zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Gjithë kësaj i shtohet dhe armiqësia e popullorëve ndaj një marrëveshjeje që duket se mbron më shumë interesat e Gjermanisë, aq sa janë të shumtë ata që mendojnë se marrëveshja mund të jetë hartuar nga socialisti gjerman Martin Shulz./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!