Parlamenti i Katalonjës miraton shpalljen e pavarësisë nga Spanja

schedule18:28 - 27 Tetor, 2017

schedule 18:28 - 27 Tetor, 2017

Parlamenti i Katalonjës aprovoi rezolutën që shpall pavarësinë e plotë nga Spanja. Në votim nuk mori pjesë opozita, e cila mbështet unitetin e vendit. Ndërkohë, pas shpalljes së pavarësisë, deputetët festuan në sallë ndërsa mijëra qytetarë jashtë saj.
Parlamenti i Katalonjës i ka thënë po pavarësisë nga Spanja. Një “po” kjo që është shoqëruar nga një atmosferë festive me deputetë në këmbë të cilët kënduan himin kombëtar të rajonit autonom pasi kreu i senatit njoftoi aprovimin e deklaratës së pavarësisë. Përtej mureve të sallës së parlamentit, sheshi shpërtheu gjithashtu me brohorima dhe duartrokitje, pasi me mijëra njerëz prisnin shpalljen e Republikës së pavarur.
Flamuri spanjoll, pas këtij zhvillimi, ndaloi së valvituri në fasadën e godinës. Pavarësia u aprovua me 70 vota pro, 10 kundër dhe 2 abstenim. Për këtë çështje munguan votat e opozitës, e cila braktisi sallën përpara fillimit të votimit sekret.
“Parlamenti vendos të themelojë Republikën e Katalonjës si një shtet të pavarur dhe sovran të së drejtës demokratike dhe sociale”, shkruhet në rezolutën e miratuar. Gjithashtu në dokumendt konfirmohet vullneti për të hapur negociatat me shtetin spanjoll, pa parakushte, për të krijuar një sistem bashkëpunimi për të mirën e të dy palëve. Pas miratimit të rezolutës foli dhe presidenti I rajonit të Katalonjës, Karles Puixhdemon.
Carles Puigdemont, President i Katalonjës: “Parlamenti I vendit tonë legjitim dhe I zgjedhur me votim, ka bërë një hap të pritur dhe luftuar gjatë. Tani na takon të gjithëve të mbajmë pulsin e këtij vendi, duke garantuar paqe, qytetari dhe dinjitet. Jemi një shoqëri e cila është përgjigjur gjithmonë në mënyrë paqësore”.
Ndërkohë, për Puixhdemon hapen orë të mbushura me të panjohura. Para se të gjithash, ajo që lidhet me veprimet që prokurori e Spanjës do të vendosë në orët e ardhshme. Sipas mediave ndërkombëtare presidenti I Katalonjës mund të akuzohet për “rebelim”, një krim ky që mund të dënohet deri në 30 vite burg.