Parlamenti grek ratifikon marrëveshjen e Prespës me 153 vota pro

schedule14:48 - 25 Janar, 2019

schedule 14:48 - 25 Janar, 2019

Greqia hodhi një tjetër hap historik në marrëdheniet me Maqedoninë fqinje, duke ratifikuar në Parlamentin e vendit Marrëveshjen e Prespës. Marrëveshja për emrin e Maqedonisë mori 153 vota në Parlamentin grek, ku deputetët e Agimit të Artë u përpoqën të shkaktojnë tensione.

Edhe jashtë Parlamentit pati protesta nga kundërshtarët e marrëveshjes. Parlamenti grek ka miratuar të premten Marrëveshjen e Prespës, vënia në jetë e së cilës i jep fund kontestit midis Athinës dhe Shkupit për emrin kushtetues të Maqedonisë.

Marrëveshja u votua nga 153 deputetë. Kundër votuan 146 dhe pati edhe një abstenim. Si rrallëherë, në procesin e votimit morën pjesë të 300 deputetët e Parlamentit.

Procesi i votimit u shoqërua nga tensione që shkaktuan deputetë të Agimit të Artë. Ndërsa vazhdonte seanca, para parlamentit ishin tubuar disa dhjetra qytetarë që protestonin kundër marrëveshjes.

Ata thërrisnin “tradhtarë e të shitur”, duke etiketuar kështu votuesit e marrëveshjes. Ata ishin më të pakët se policët që ishin dislokuar për mbrojtjen e parlamentit, ndërkohë që në rrugët përreth ishte ndaluar qarkullimi i mjeteve.

Duke apeluar ndaj gjithë deputetëve që të votonin në favor të marrëveshjes, kryeministri Tsipras theksoi se “tashmë është koha që të dalim nga rrethi vicioz i nacionalizmave”. “Historia jonë është shpirti ynë dhe ne po e rimarrim atë. Nuk do të mundet askush ta uzurpojë”, deklaroi Tsipras nga tribuna e parlamentit.

Shefi i opozitës e cilësoi marrëveshjen si një turp kombëtar. Ai paralajmëroi se po të vijë në pushtet mund ta bllokojë me veto në çdo moment anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Pas miratimit të Marrëveshjes së Prespës nga parlamenti grek, do të pasojnë hapat e tjerë për implementimin saj.

Nga vendet anëtare të NATO-s do të bëhet nënshkrimi formal i protokollit të anëtarësimit dhe pastaj ratifikimi i këtij protokolli edhe nga parlamenti grek. Ky do të jetë dhe akti që do të inicojë procedurat për ndryshimin e emrit të vendit fqinj në “Republika e Maqedonisë Veriore”.

Vetëm atëherë, presidenti i republikës greke do të dërgojë protokollin e ratifikuar në Uashington, me qëllim që procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO të ratifikohet edhe nga vendet e tjera anëtare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!