Parlamenti francez do të diskutojë gjerësisht në seancën e pasdites së sotme për emigracionin dhe për numrin e madh të azilkërkuesve në vend, që vijnë kryesisht nga Shqipëria dhe Gjeorgjia.
I shtyrë për një javë pas ndarjes nga jeta të ish presidentit francez Zhak Shirak, parlamenti francez do të mblidhet në një seancë dedikuar emigracionit dhe azilkërkuesve pasditen e sotme. Mediat franceze raportojnë se në qendër të diskutimeve do të jenë pikërisht azil kërkuesit, pjesa më e madhe nga Shqipëria dhe Gjeorgjia, si dhe propozimi i gjashtë linjave të punës përfshirë dhe një reflektim për përfitimet sociale të azilkërkuesve
Qeveria franceze dhe mazhoranca kanë përgatitur një përmbledhje e cila liston 10 fakte për politikat e emigracionit në vend si dhe 10 veprime të qeverisë. Gjithësesi në fund të diskutimeve nuk do të ketë asnjë votim dhe asnjë masë.
Diskutimet në parlament do të hapen nga kryeministri Eduard FIlip, ministri i jashtëm Zhan Iv Lë Drijan, Ministri I brendshëm Kristof Kastane dhe ministrja e shëndetësisë Anjez Buzin. Më pas do të ketë replika nga grupe të ndryshme parlamentare.
Në debat do të përfshihen si cështja e rritjes së numrit të kërkesave për azil, rreth 123 mijë më shumë në krahasim me një vit më parë. Mes azilkërkuesve, shqiptarët dhe gjeorgjianët, shtetas të vendeve që konsiderohen të sigurta, renditen respektivisht në vend të dytë dhe të tretë pas afganëve. /ABC news Albania 24/