Parku i Liqenit Artificial, atraksion për qytetarët

schedule17:40 - 3 Maj, 2019

schedule 17:40 - 3 Maj, 2019

Liqeni Artificial në Tiranë është një nga zonat më të preferuara për qytetarët. Përveç ajrit të pastër, ky ambient ofron edhe shumë mundësi argëtimi për persona të grupmoshave të ndryshme.

E cilësuar si “mushkëria e gjelbër” e kryeqytetit, parku i Liqenit Artificial, vijon të mbetet një nga zonat më të frekuentuara në Tiranë. Qytetarë të të gjitha grupmoshave zgjedhin të kalojnë disa orë në ambientet e këtij parku, i cili përveç ajrit të pastër, u ofron vizitorëve edhe ambiente mjaft të pastra.

Përveç fëmijëve që argëtohen në parkun e lojërave apo të moshuarve që konsumojnë një kafe apo shëtitje, në parkun e Liqenit Artificial gjenden edhe plot të rinj, të cilët i shfrytëzojnë këto ambiente për aktivitete sportive. Ndër të tjera ata kanë edhe apel për të rinjtë dhe të rejat që qëndrojnë nëpër lokale apo rrjete sociale.

“Në radhë të parë duhet shëndeti. Në atë orë që shkoni në kafe mundohuni të bëni gjimnastikë”, tha një vizitor i parkut.

Qytetarët tregojnë arsyet se pse parku i liqenit Artificial mbetet një nga opsionet më të mira për ta.

“Për pastërti nuk diskutohet. Këtu është shumë mirë. Për zonat e tjera pastaj duhet më shumë gjelbërim, më shumë pastërti”, tha një vizitore.

“Po ta krahasosh këtë pamjen tani është e jashtëzakonshme. Me punimet që ka bërë kryetari i bashkisë, bravo i qoftë”, tha një vizitor i parkut.

Por parku atraktiv i Liqenit Artificial është frymëzues edhe për artistët dhe muzikantët. Sipërfaqja e Parkut përbën masivin më të madh të gjelbërimit në qytetin e Tiranës që ndikon në krijimin e peizazhit dhe të mikroklimës së zonës. Falë punës së bërë nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës, pastërtia, gjelbërimi dhe terrenet sportive në funksion të qytetit, vijojnë të mbeten prioritet./ABC News Albania 247

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!